E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE-ja kërkon vijimësi reformash dhe konsensus politik

Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë të realizojë reforma bindëse dhe me konsensus të plotë në veçanti reformën zgjedhore, atë të drejtësisë, reformën e pronësisë dhe luftën antikorrupsion. Këtë apel bëri dje në Tiranë gjatë takimit me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, drejtori për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pierre Mirel. Sipas tij, vetëm me dialog Shqipëria dhe mbarë rajoni mund të integrohen në strukturat evropiane. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, pohoi gjithashtu se udhëzuesi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë është pak a shumë një listë kushtesh që duhen përmbushur, siç cilësoi ai, "heqja e regjimit të vizave bazohet mbi reformat". Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, z. Mirel u ndal tek çështja e liberalizimit të vizave duke thënë se kjo është një çështje tepër e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndaj edhe është ndërtuar një udhëzues që do të çojë në lehtësimin e marrëveshjes së liberalizimit të vizave". Diplomati Mirel shtoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE- Shqipëri është në rrugën e duhur, por kërkohet vijimësia e reformave. Dhe që reformat të ecin në drejtimin e duhur, diplomati perëndimor premtoi se gjatë viteve të ardhshme, Bashkimi Evropian do të japë 200 milionë euro vetëm për Shqipërinë. Por ai vuri theksin mbi atë që KE-ja insiston për konsensus politik për reformat. “Shqipëria duhet të realizojë reforma në konsensus të plotë me opozitën për reformën zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë. Dialogu dhe konsensusi janë të nevojshëm për integrimin në strukturat evropiane të vendit tuaj dhe mbarë rajonit”, - tha z.Pierre Mirel.

Berisha

Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, informoi përfaqësuesin e Komisionit Evropian se mazhoranca ka gjetur gatishmëri për bashkëpunim nga opozita për realizimin e reformave në vend, ndërsa po punohet për përfundimin e reformës zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë. Berisha bëri të qartë se lufta ndaj korrupsionit ka qenë dhe do të jetë prioritet i qeverisë. “Një tjetër reformë mbi të cilën po punohet, - vijoi Berisha, - është ajo për zgjidhjen e problemeve të pronësisë”. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për ndihmën e shkëlqyer që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë. Pas takimit kokë më kokë me Kryeministrin Sali Berisha, z.Mirel theksoi në një konferencë të përbashkët për shtyp se ka një përmirësim të investimeve në Shqipëri, që do të vazhdojnë edhe më tej. Ai vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet BE-Shqipëri, por nënvizoi se "Shqipërisë i duhet të ndërtojë reformat bindëse dhe solide për anëtarësim të plotë në BE". Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian kërkoi që të vazhdojë reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së pronës. Ai vlerësoi se konsensusi politik për reformat është një çështje kyçe, sepse vetëm me dialog dhe bashkëpunim Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit do të ndërmarrin reforma konsensuale.

Basha, Mirel: Përshpejtimi i reformave, hapi tjetër për në BE

Përshpejtimi i proceseve integruese është hapi tjetër i radhës i Shqipërisë drejt anëtarsimit për në BE. Ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha priti dje drejtorin pёr Ballkanin nё Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel. Nё takimin me ministrin Basha, ai shoqёrohej nga z. Helmuth Lohan, ambasadori i Delegacionit të KE-sё nё Shqipёri, z. Thomas von Handel, shefi i Çёshtjeve Politike dhe Ekonomike nё Delegacionin Evropian dhe znj. Simona Gatti, pёrgjegjёse pёr çёshtjet e Shqipёrisё nё Drejtorinё e Zgjerimit tё KE-së nё Bruksel. Zhvillimet politike nё vend, ecuria e procesit tё reformave, lufta kundёr korrupsionit, procesi i liberalizimit tё vizave, çёshtje lidhur me progres raportin dhe zhvillimet rajonale, ishin temat e diskutimit midis ministrit Basha dhe z. Mirel. Rritja e qёndrueshme e ekonomisё, pёrmirёsimi i klimёs sё biznesit, rritja e tё ardhurave publike si rezultat i luftёs kundёr korrupsionit ishin disa prej temave tё tjera qё ministri Basha trajtoi me drejtorin e Ballkanit Perёndimor z. Mirel. Duke bёrё njё prezantim tё procesit tё reformave, veçanёrisht asaj elektorale dhe nё fushёn e drejtёsisё, ministri Basha vuri nё pah progresin e shpejtё dhe tё qёndrueshёm nё kёto dy fusha gjatё vitit 2008. Pierre Mirel nga ana e tij vlerёsoi progresin e bёrё nga Tirana zyrtare nё drejtim tё reformave dhe nёnvizoi rёndёsinё e vazhdimit tё mёtejshёm nё kёtё drejtim pёr integrimin e shpejtё tё Shqipёrisё nё BE. Bashkёbiseduesit vlerёsuan luftёn kundёr krimit tё organizuar dhe bashkёpunimin e sukseshёm me vendet e BE-sё nё kёtё fushё. Njё vend i veçantё nё diskutim iu kushtua procesit tё liberalizimit tё vizave. Ministri Basha e konsideroi dialogun politik pёr liberalizimin e vizave dhe dorёzimin e udhёrrёfyesit si njё hap tё rёndёsishёm nё kuadrin e dialogut pёr heqjen e vizave BE-Shqipёri. Shqipёria dorёzoi mё 1 shtator 2008 kontributin e parё mbi udhёrrёfyesin pёr liberalizimin e vizave. Z. Mirel shprehu vlerёsimet e tij maksimale pёr kёtё raport si dhe vullnetin politik pёr tё mbёshtetur me tё gjitha mjetet proçesin e liberalizimit tё vizave. Nё lidhje me situatёn nё rajon ministri Basha vuri nё dukje se viti 2008, paraqet dinamika tё reja ku historia e Ballkanit merr njё udhё tjetёr, tё ndryshme nga ajo konfliktuale e deritanishme. Ai shprehu bindjen se pas shpalljes sё pavarësisë sё Kosovёs dhe marrjes sё ftesёs pёr anëtarёsim nё NATO tё Shqipёrisё dhe Kroacisё, pёrshpejtimi i proçeseve integruese do tё jetё hapi i radhёs nё avancimin e vendeve tona nё gjirin e BE-së.

Bregu, Mirel: KE, asistencë për proceset integruese

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, siguroi dje ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, se "Komisioni Evropian do të vazhdojë të ofrojë gjithë asistencën e nevojshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE". Zyra e shtypit në Ministrinë e Integrimit njoftoi se gjatë këtij takimi u diskutua rreth zhvillimeve politike në vend, ecurisë së procesit të reformave dhe liberalizimit të vizave, pritshmërisë për statusin e kandidatit të vendit tonë në BE, si dhe çështje që kanë të bëjnë me përgatitjen e progres-raportit për vitin 2008. Lidhur me përgatitjen e progres- raportit për vitin 2008, z. Mirel vlerësoi se "imputi për progres-raportin 2008 është i një cilësie shumë më të mirë se ai i vitit të kaluar. Kjo nënkupton që dhe koordinimi ka qenë më efektiv”. “Për sa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat, - tha z. Mirel, - mendoj se qeveria ka mbajtur një qëndrim të drejtë”. "E kam deklaruar edhe në vendet e tjera të rajonit, se cilësia vjen përpara shpejtësisë. Ne do të vazhdojmë të mbajmë një kontakt të ngushtë për t’ju asistuar në të gjitha etapat e procesit të integrimit”, - nënvizoi ai. Duke folur për këtë temë, ministrja Bregu tha se “Shqipëria do të aplikojë kur të jetë e gatshme për të kaluar në këtë fazë dhe kur të jetë e sigurt se kjo ndërmarrje do të pritet mirë”. Në takimin me ministren Bregu, z.Mirel siguroi se "Komisioni do të luajë rol ndikues kundrejt vendeve anëtare, në mënyrë që këto të fundit të zbatojnë me përpikmëri dhe në kohën e duhur marrëveshjen për lehtësimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›