E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të zbardhen krimet e komunizmit

Në kulmin e debatit për hapjen e dosjeve, Presidenti Bamir Topi që nga Postriba bën thirrje për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe pastrimin e politikës nga ish-spiunët. Kreu i shtetit zgjodhi dje 62-vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste për t’i bërë thirrje politikës që të dënojë krimet e komunizmit. Gjatë fjalës në ceremoninë e dekorimit të popullit të Postribës, me titullin “Nder i Kombit”, Topi apeloi se politika duhet t’i shmanget leximit të njëanshëm e ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Sipas tij, kujtimi i së kaluarës do të thotë respekt për të ardhmen. “Ne do të dëshmonim një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre viteve po të tentonim të ndërtonim një “demokraci të mbështetur mbi harresën”, - theksoi z.Topi. Kryetari i shtetit shprehu shqetësimin se falë jetëgjatësisë së tij, komunizmi mundi të penetrojë me tentakulat e tij në indet e segmentet e ndryshme të shoqërisë duke krijuar organizma kontrolli e tabu të rreme në mendësinë e vetëdijen tonë shoqërore dhe historike, prej të cilave ne duhet të ndahemi përfundimisht.

”Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë”, - u shpreh z.Bamir Topi. Presidenti bëri të qartë se dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte më tej shoqërinë. Kreu i shtetit i kujtoi politikës shqiptare se Rezoluta e Këshillit të Evropës midis të tjerash kërkon që për të gjithë të persekutuarit dhe familjet e tyre, që kanë sakrifikuar jetën dhe kanë vuajtur gjatë regjimit komunist t’ju kushtohet më tepër respekt e mirënjohje dhe të përkujtohen datat dhe ngjarjet e rëndësishme historike, që kanë lidhje me atë periudhë. Por ai kërkoi dhe reflektim të politikës për përmirësimin e standardeve të demokracisë, në të cilat përfshihet edhe marrëdhënia me të kaluarën si dhe të nderojmë kujtimin e martirëve të antikomunizmit, e martirëve të Postribës si vlerë e përbashkët kombëtare. Kreu i shtetit mbështet fuqimisht viktimat e pafajshme që për 18 vjet nuk janë dëmshpërblyer për vuajtjet që kanë kaluar nga sistemi i vjetër. Ndaj, me cilësinë e Presidentit të Republikës, si simbol i unitetit të kombit, Topi shprehu fuqimisht mbështetjen e tij të palëkundur morale dhe institucionale për të gjithë viktimat e pafajshme të krimeve monstruoze të komunizmit, të cilat gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve ende nuk janë dëmshpërblyer, rehabilituar dhe integruar ashtu siç meritojnë plotësisht në shoqërinë tonë demokratike.

Berisha: Mbështetje promovimit të Shqipërisë në botë

Kryeministri Sali Berisha priti dje disa përfaqësues të Universitetit të Padovës, të kryesuar nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Saba d’Elia. Grupi i profesorëve të këtij universiteti i prezantuan Kryeministrit interesin për bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, kryesisht në fushën e turizmit dhe arkeologjisë. Pasi u njoh me disa prej projekteve konkrete për këto bashkëpunime, Kryeministri Berisha u shpreh se e vlerëson shumë interesin e treguar dhe punën e bërë deri më tani për promovimin e vlerave të mëdha kulturore, historike e arkeologjike që ofron Shqipëria. Kryeministri u premtoi përfaqësuesve të Universitetit të Padovës mbështetje të plotë në bashkëpunimin mes universiteteve të dy vendeve. Ai theksoi se qeveria shqiptare i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë gjithmonë projektet që promovojnë Shqipërinë në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›