E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, projektligj për dëmshpërblimin e fermerëve

Partia Socialiste publikoi dje një draft ligjor për dëmshpërblimin e fermerëve që janë prekur nga fara e misrit të skaduar. Kryetari i kësaj partie propozon që

masa e dëmshpërblimit të jetë e barabartë me fitimin e munguar apo të pritshëm, do të llogaritet në bazë të sasisë së farës së blerë, sasisë së tokës së mbjellë, shpenzimeve të domosdoshme dhe të nevojshme për kultivim dhe rendimentin e pritshëm. Evidentimi i dëmshpërblimit duhet të kryhet me një procedurë vetëdeklarimi. Të gjithë të dëmtuarit duhet të vetëdeklarojnë dëmin e shkaktuar dhe fitimin e pritshëm nëpërmjet një formulari, që në bazë të këtij ligji, duhet të miratohet një orë e më parë me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas Ramës, vlerësimi i dëmshpërblimit, duke u nisur nga vetëdeklarimi, duhet të bëhet nga drejtoritë e bujqësisë dhe ushqimit, ku përfshihen edhe njësitë e qeverisjeve vendore, ku banon apo kultivon i dëmtuari. Drafti parashikon që procesi duhet të kryhet pasi të shpërndahen dhe të mblidhen formularët tip. Procedurat e pagesës së dëmshpërblimit duhet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi duhet t’u bëhet i njohur të interesuarve brenda 3 ditëve pas plotësimit të kësaj procedure dhe të dëmtuarit kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 30 ditëve. “Të gjitha këto dhe disa detaje të tjera të projektligjit, janë detyrim jo vetëm moral dhe politik i Kryeministrit, i ministrit të Bujqësisë dhe qeverisë, por janë edhe detyrim kushtetues e ligjor, në një vend ku asnjë qytetar e asnjë familje, që mund të pësojë dëm për shkak të qeverisë, për shkak të mungesës së kontrollit, veprimit apo mosveprimit të shtetit të mbetet i padëmshpërblyer”, - tha Rama duke bërë të ditur se drafti ligjor që do të dorëzohet shumë shpejt në komisionin përkatës.

LSI, propozime për uljen e vdekshmërisë së foshnjave

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj shifrave të publikuara nga World Vizion lidhur me performancën e sistemit shëndetësor dhe vdekshmërinë foshnjore shumë të lartë. Këto shifra, sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, duhen konsideruar pa asnjë hezitim si një denoncim i një situate tepër të rëndë dhe të pashembullt të shëndetësisë shqiptare. “Vdekshmëria foshnjore në shifra të larta është provë e pakundërshtueshme se për Kryeministrin mjek edhe vdekjet e fëmijëve nuk janë prioritet i tij, sepse asnjë herë të vetme nga goja e tij nuk është shqiptuar as edhe një fjalë për këtë tregues tragjik të shëndetësisë shqiptare, duke e lënë në dorë të fatit dhe duke mos shpenzuar as edhe një qindarke për të e duke e vënë në vështirësi të pallogaritshme sistemin shëndetësor për të përballuar situatën”, - tha Vasili. Ai dha disa propozime konkrete për përmirësimin e kësaj situate siç është trajtimi i vdekshmërisë foshnjore si një prioritet madhor i qeverisë, zbatimi i një strategjie të asistuar nga OBSH-ja, mbulimi me personel shëndetësor të trajnuar dhe të informuar për këtë problematikë, edukimi i gjerë dhe intensiv i nënave, krijimi i një sistemi informimi serioz të specializuar dhe profesional që pasqyron realisht situatën dhe eliminon situatat paradoksale të shifrave kontradiktore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›