Topalli nderon xhaxhain e vrarë në kryengritjen e parë antikomuniste
Çdo vit në shtator, Jozefina Topalli kujton historinë e familjes së saj, një histori krenarie dhe vuajtjeje. Çdo vit në 9 shtator ajo përkujton njeriun që i dha familjes Çoba, nga rrjedh dhe ajo, testamentin e një familjeje antikomuniste në gjenezë. Xhaxhai i Kryetares së Kuvendit, Mikel Çoba, u vra gjatë kryengritjes antikomuniste të komunës së Postribës më 9 shtator të vitit 1946, e cilësuar nga historianët si kryengritja e parë antikomuniste në gjithë Evropën Juglindore. Ashtu si çdo vit tjetër, Topalli u gjend dhe dje në Postribë, ku ndryshe nga herët e tjera më në fund ky komunitet ka marrë një nderim nga shteti për atë që i ka dhënë historisë shqiptare, duke marrë titullin “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. E ndërkaq, në fjalën e saj pasardhësja e njërit prej antikomunistëve të parë shqiptare, që bashkë me familjen e saj ka vuajtur më pas pasojat e atij regjimi të egër që u vendos në vend pas shtypjes së kësaj kryengritje, ka thënë se më në fund ëndrra e tyre është realizuar. Sipas saj të rënët në këtë kryengritje antikomuniste, në këtë përvjetor, kanë marrë shpërblimin që prisnin prej 62 vitesh, hyrjen e Shqipërisë në NATO. “Shqipëria mori ftesën për NATO. Sot ky është shpërblimi që mund t’i bëjmë ëndrrës së tyre, ëndrrës për liri. Unë jam shumë optimiste se brenda vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Një vit më parë, këtu nga ky vend, kam folur duke u përkulur me respekt për këta burra të mëdhenj, për mundësinë e marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Unë nuk isha e sigurt se 6 muaj më parë të ndodhte mrekullia, për të cilën ata burra dhanë jetën. Kjo është gjëja më e mrekullueshme, që e quajtën mrekullia e lirisë, e quajtën ëndrra e fëmijërisë, dhe Shqipëria po hyn së bashku me aleatët me të fuqishëm të botës në aleancën e lirisë së kohërave. Një ëndërr që është një mrekulli. Kjo është meritë e shqiptarëve, e juaja”, - tha Topalli. Më tej ajo vlerësoi kontributit e antikomunistëve si dhe deklaroi se krimet e komunizmit do të dënohen. “Unë besoj se brenda një periudhe shumë të shkurtër ne do kalojmë ligjin, i cili do t’i japë shumë paqe shoqërisë. Ishte Sigurimi i Shtetit, Gestapoja shqiptare, që mori ata djem të rinj, i lidhi me hekura, që i mori zvarrë rrugëve të Postribës dhe, më pas, i vendosi te muri i pushkatimit”, - u shpreh kryeparlamentarja, e cila është një mbështetëse e fortë e ligjit të ri për hapjen e dosjeve. Gjithashtu, ajo premtoi përpara banorëve të komunës së Postrigës se brenda këtij mandati, në sallën e Parlamentit do të krijohet një muze i krimeve të komunizmit dhe një muze tjetër për ata që luftuan dhe ata që dhanë jetën për shpirtin e lirisë, për idealet e tyre perëndimore.