E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, tarifa të reja për gjykatat, noterët dhe prokuroritë

Autori i Lajmit: Redaksia

Një udhëzim i Ministrisë së Drejtësisë do të ndryshojë sërish tarifat për shërbimet që ofrojnë zyrat e noterisë, avokatisë, gjykatave, prokurorisë dhe Përmbarimit.
Burime zyrtare pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se fluksi i madh i kërkesave ka bërë që Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani të lëshojë një udhëzim, ku i rrit edhe njëherë tjetër pagesat që duhet të paguajnë qytetarët për shërbimet.
Edhe pse kishin kaluar vetëm pak muaj që këto tarifa u dyfishuan sërish, ministri i Drejtësisë sapo ka firmosur një tjetër udhëzim duke i dyfishuar këto tarifa. Sipas burimeve nga kjo ministri, një nga arsyet është bërë dhe dhjetëfishimi i numrit të padive për kreditë e këqija. Statistikat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kanë shënuar gjatë muajit tetor edhe shifrën më të lartë mbi numrin e padive civile të depozituara nga bankat për kreditë e këqija. Por nuk mbeten pas dhe shumë padi të tjera civile që janë objekt më pas për ekzekutim nga zyrat e Përmbarimit Shtetëror.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të fundit për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesë ligjore për pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit, qytetarët tani e tutje do të paguajnë 400 lekë të rinj. Për vendime apo dokumente të tjera që do të lëshohen nga gjykatat, do të paguhet tarifa prej 800 lekësh. Për legalizimin e akteve të noterisë nga Ministria e Drejtësisë do të paguhet 800 lekë. Për lëshimin e vendimit të pushimit ose të vendimit të mosfillimit të çështjes penale nga prokuroria do të paguhet 800 lekë. Është zeruar tarifa për të gjitha paditë civile që do të depozitohen në Gjykatën e Tiranës me objekt për rikthim në punë.
Paditë
Sipas burimeve nga gjykata, këto dosje po kthehen në problem për shqyrtimin e tyre, për shkak të numrit të madh që ndodhet në secilën zyrë të gjyqtarëve. Për herë të parë, në lidhje me këtë fenomen, bëhen publike statistikat zyrtare të kësaj gjykate, të cilat tregojnë se kur ka nisur shqetësimi i bankave për mosshlyerjen në kohë të kredive nga ana e kreditorëve. Ndërsa padia mbërrin në gjykatë, bankave, nëpërmjet juristëve të tyre, u duhet të ndjekin vijueshmërinë e vendimit edhe nëpër zyrat e Përmbarimit. Pasi do të jenë përmbaruesit që do të ekzekutojnë vendimet e gjykatës deri në sekuestrim të pasurive të qytetarëve që nuk kanë shlyer kredinë. Këto dosje kanë problemet e tyre që në fazën e shqyrtimit nga Gjykata. Adresat e pasakta dhe ndërrimi i vendbanimit nga ana e qytetarëve i ka bërë më të vështira këto vendime, për të mos thënë të paekzekutueshme.

Ky lajm është publikuar: 25/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›