E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi fton Papën të vijë në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është takuar dje në Romë me kreun e Kishës Katolike botërore, Papën Benedikti XVI. Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit Botëror të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO) i cili po zhvillon punimet e tij mbi "Sigurinë e Ushqimit" në Romë. Pas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarëve dhe aprovimit të Deklaratës së Samitit Botëror për "Sigurinë e Ushqimit", Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI, i cili hapi edhe sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, u takua me Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë në mjediset e FAO-s në Romë. Siç bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Presidencës, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, e falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani dhe Kisha Katolike kanë luajtur për ringjalljen shpirtërore dhe morale të besimtarëve shqiptarë dhe të parimeve e vlerave të shenjta. Presidenti Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benedikti XVI që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij. Presidenti Topi është takuar dhe me Kryeministrin italian, Berluskoni dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›