Topalli në Unionin Ndërparlamentar
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është nisur për në Nju Jork, e ftuar të marrë pjesë takimin e Unionit Ndërparlamentar në pallatin e OKB-së. Konferenca do të përbëjë takimin e dytë të Komitetit Përgatitor për Konferencën e Tretë Botërore të kryetarëve të Parlamenteve, që pritet të mbahet në vitin 2010. Dinamizimi i rolit të Parlamenteve në sfidat botërore, prioritetet e Kombeve të Bashkuara, kriza financiare globale, forcimi i bashkëpunimit të Parlamenteve mes tyre dhe Kombeve të Bashkuara, strategjitë e ardhshme politike dhe ekonomike ndërparlamentare, si dhe ndryshimet klimaterike do të jenë temat qendrore të diskutimeve të konferencës. Në konferencë Topalli do të jetë bashkë me homologen e saj të Austrisë, Barbara Prammer, kryetarin e Bundestagut gjerman Norbert Lammert, dhe Marc Laffineur, nënkryetar i Parlamentit të Francës. Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të Parlamenteve të Australisë, Jordanisë, Indonezisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.