E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Leja e lindjes” mund të kërkohet dhe nga burrat

10/03/2005  Asnjë burrë shqiptar s’ka kërkuar leje për përkujdes ndaj fëmijës

Legjislacioni shqiptar lejon që leja e lindjes të merret nga të dy prindërit. Por, deri tani, nuk ka ndodhur në asnjë rast që një burrë të kërkojë “leje lindjeje”. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që burri të qëndrojë në shtëpi për një periudhë kohe të gjatë, për t’u përkujdesur për fëmijën. Kjo pasqyron dhe steriotipin gjinor, sipas të cilit vetëm nënat mund dhe duhet të kujdesen për fëmijët”, thuhet në Raportin e Zhvillimit Njerëzor të këtij viti. Ndonëse Kodi i Familjes i rinovuar vitin e kaluar, i është përshtatur më së miri ligjeve të vendeve evropiane, përsëri që një burrë shqiptar të kujdeset për foshnjen e tij, është tabu. Periudha e paslindjes ju krijon mundësi grave që të paguhen, ndërkohë që merren me rritjen e fëmijës. Leja e lindjes është 365 ditë dhe pagesa është 50-80 për qind e pagës. Në kushtet kur gruaja ka një pagë të ulët, apo një punë të pasigurt, burri ka të drejtë ligjërisht që të kërkojë leje për t’u përkujdesur për fëmijën. Shpesh gratë dhe vajzat janë të punësuara pa kontrata të rregullta dhe e humbasin vendin e punës, qoftë për shkak të lejes së lindjes, dhe të ndërprerjes së punës për një kohë të gjatë.

Punësimi sipas moshës

Mundësia e mbetjes shtatzënë bënë që shumë gra të grupmoshës riprodhuese të mos parapëlqejnë që të hyjnë në punë, ndërkohë që dhe gratë e moshës mbi 35 vjeç nuk preferohen për t’u marrë në punë. Kjo gjë vihet re dhe në njoftimet për punë, që jepen në media, thuhet në Raportin e Zhvillimit Njerëzor. Sipas INSTT, pagat mesatare të femrave zinin 70 për qind të pagave të meshkujve, kjo si rrjedhojë e pozicioneve të ulëta në strukturat hierarkike.

Në institucione

Sot femrat zënë 40 për qind të të punësuarëve nëpër ministri dhe institucione të tjera të larta shtetërore, kryesisht në nivel specialistësh, por femrat ende nuk zënë më pak poste si drejtore departamentesh dhe në nivele të tjera më të larta, përjashtuar Bashkinë e Tiranës.

Femra biznesmene

Të dhënat zyrtare tregojnë se në sektorin privat femrat e punësuara zënë një përqindje të ulët, por kështu dhe ato biznesmene. Sipas INSTAT, 17.5 për qind e bizneseve janë pronë të femrave. Dhe këto biznese ndodhen në zonat urbane. Në Tiranë gjenden 31 për qind e bizneseve, ndërsa në fshatra shumë pak, 15 për qind.

Kredi në emrin e gruas

Ng 200 kërkesa për kredi në Bankën Tregtare vetëm 5 prej tyre, ose 2.5 për qind e kërkuesve ishin gra. Gratë sipërmarrëse, ose ato që kërkojnë të futen në rrugën e biznesit, nuk marrin ndonjë ndihmë të veçantë nga shteti. Megjithatë, gratë janë pak të lidhura me sistemin bankar, si në marrjen e një kredie banke, si për të operuar me veprimet e tyre në fushën e biznesit, apo thjesht për të mbajtur kursimet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›