E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa jetëgjata janë sendet që na rrethojnë, afatet e përdorimit dhe të skadimit



Ervin Koçi

Objektet dhe sendet që përdorim çdo ditë gjatë jetës tonë, pra ato që janë në funksion dhe shërbim të njeriut, edhe pse mund të duam nuk mund t’i mbajmë përjetësisht. Ashtu si ushqimet, që herët a vonë skadojnë dhe humbasin vlerat ushqyese, edhe sendet që ne përdorim, si ato vetjake, ashtu edhe ato kolektive, në shtëpi, në punë ose më gjerë, kanë një fund të tyre. Një studim amerikan i publikuar së fundi në internet na sugjeron se sa kohë duhet t‘i mbajmë në shtëpi dhe çfarë duhet bërë për t‘u zgjatur jetën sendeve të ndryshme që përdorim. Ai shpjegon edhe arsyet se përse shumë prej pajisjeve që ne i konsiderojmë si jetëgjata duhet të ndërrohen, apo dhe të riciklohen, kur nuk mund të përdoren për një arsye tjetër. Studimi tregon se p.sh., furçën e dhëmbëve nuk mund ta përdorim më tepër se 3-6 muaj, shampon kundër zbokthit jo më tepër se 3 vjet dhe deri në dhjetë vjet për dyshekun. Kjo gjë ndodh sipas studimit, sepse objektet e përdorimit të përditshëm pas një farë kohe mund të humbasin efektshmërinë, madje mund të bëhen edhe të rrezikshme.

Afatet e skadimit

Herët a vonë për të gjitha sendet që përdorim dhe që kemi blerë me shumë dëshirë, vjen një datë skadimi. Madje ajo çka është me interesante është fakti se edhe kur këto objekte nuk përdoren për një farë kohe, ose nuk përdoren fare pas blerjes dhe vihen në punë pas një kohe relativisht të gjatë, ato mund të jenë të pavlera ose të rrezikshme për jetën tonë, pasi edhe në prehje ato skadojnë sepse e kanë mbushur kohën e vjetrimit. Kjo na shtyn që t‘i përdorim edhe kur duken të reja e të papërdorura, edhe pse të zhveshura nga çdo lloj "fuqie" këto objekte shpesh janë të dëmshme. Studimi i fundit i bërë në SHBA dhe i publikuar në "Prevention", ka ekzaminuar 15 objekte që i përdorim çdo ditë, duke vendosur përkrah edhe datën e skadimit. Rezultatet janë vërtet befasuese. Që furça e dhëmbëve duhet ndërruar shumë shpesh, kjo është një gjë që dihej prej kohësh. Por, ndoshta janë të paktë ata që i dinë rregullat strikte të vendosura nga "American Dental Association": 3-4 muaj maksimumi.

Rreziku nga mbipërdorimi

Të përdorësh një furçë dhëmbësh për një kohë të gjatë (më shumë se 5 muaj), veç të tjerash, mund të ketë efekte anësore mbi shëndetin e dhëmbëve dhe të rrisë rrezikun e kariesit. Akoma më e pakëndshme është fjetja mbi një dyshek "të skaduar". Pasi kalohet limiti, që sipas "National Sleep Foundation" mund të shkojë nga 9 muaj deri në tre vjet. Kjo pasi dyshekët shndërrohen në terrenin më të përshtatshëm për bakteret dhe grimcat e dëmshme të pluhurit. Të njëjtët armiq gjenden edhe në mes të jastëkëve që duhen ndërruar thuajse çdo vit, pasi përndryshe rrezikojnë të lëshojnë erëra të këqija dhe komponentë të rrezikshëm alergjikë. Jetë të shkurtër kanë edhe solucionet dhe kutitë e lenteve të kontaktit për sytë. Për të evituar rrezikun e infeksioneve, syve nuk u mjafton asnjëherë që t‘i kalojnë tre muaj që nga momenti i hapjes së flakonit. Përkundrazi, kur flitet për produktet kozmetike, është e domosdoshme të bësh dallime dhe zgjedhje më të kujdesshme: deri në 6 muaj mund të përdoren lapsat e syve dhe kutitë e tualetit, deri në 2 vjet për fondatinën dhe produktet e lëngshme, madje edhe për buzëkuqet dhe pluhurat. Nga ana tjetër, kremrat nuk duhet kurrsesi ta kalojnë një vit jetë. Rreziku që substancat kimike mund të degjenerojnë dhe të bëhen të rrezikshme në këtë rast është shumë i madh. Për shampot, kryesisht ato mjekësoret, ekzistenca (jetëgjatësia) zgjatet rreth tre vjet.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›