Një dollar vetëm për 90 lekë
25/12/2004 Agjencitë e Këmbimit Valutor kanë shitur dje dollarin në vlerën më të ulët të dhjetë viteve të fundit, duke e këmbyer një dollar me 90 lekë. Parashikimet e specialistëve të sektorit bankar, se deri më 31 dhjetor dollari do të ulet në mënyrë të ndjeshme, janë vërtetuar. “Deri në fund të vitit, kur është dhe fluksi më i madh i blerjeve, dollari do të vazhdojë të ulet”, thotë Edvin Libohova, drejtor i Bankës Popullore. Euro, gjithashtu ka shënuar një ulje gjatë kësaj jave, duke shkuar në 123.5 lekë nga 125.5 që ishte në fillim të javës. Specialistë të kursit të këmbimit kanë parashikuar se java që vjen do të vazhdojë të ulë jo vetëm dollarin, por edhe euron, dhe lufta mes monedhës vendase dhe valutave do të nxjerrë të fituar lekun, të paktën deri në ditët e fundit të dhjetorit. Më pas do të jenë kurset ndërkombëtare të këmbimit, ato që do të shënojnë fatin mes monedhës evropiane dhe asaj amerikane. Fuqizimi i lekut u vu re që në fillim të muajit nëntor të vitit 2003, ku filloi të njihte një vlerë të lartë në kursin e këmbimit me dollarin, duke u këmbyer kështu me 113.6 lekë. Ndërkaq vlerën më të lartë në kursin e këmbimit, dollari e ka njohur në ’98-ën, kur u këmbye me 150.6 lekë, ndërkaq vlera e djeshme mund të quhet dhe vlera më e ulët që prej ’94-ës. B. K.