E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i rrëzon akuzat e PS-së për lidhjet me Fazlliçin



Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka hedhur poshtë si të pabaza akuzat e PS-së ndaj kësaj korporate se ka shitur energji në mënyrë abuzive për një nga firmat në pronësi të biznesmenit britaniko-boshnjak Damir Fazlliç. KESH-i i quan deklaratat e nënkryetarit të grupit parlamentar PS-së, Erion Braçe, të pavërteta. Sipas KESH-it bëhet e ditur se çdo blerje energjie është brenda ligjit dhe e audituar.

Reagimi erdhi pas deklaratave të nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste mbi tenderat e KESH-it, të fituara nga kompania “Rudnap” e biznesmenit Damir Fazlliç. KESH-i i ka cilësuar deklaratat e Braçes hamendësime dhe gënjeshtra për përdorim politik. Më tej, KESH-i siguron se çdo blerje energjie është kryer brenda ligjit, e dokumentuar dhe e audituar. KESH-i siguron se blerjet e energjisë kanë qenë transparente dhe të publikuara rregullisht para dhe pas çdo procesi. Në këtë kuadër, KESH-i ka ftuar Partinë Socialiste të konsultohet për dokumentet që disponon për tenderat e kryera nga kjo korporatë. Dje, Braçe tregoi para mediave dokumente, ku sipas tij, vërtetohet se një kompani e Fazlliçit, pikërisht “Rudnap”, ka përfituar nga paratë publike të energjisë elektrike. “Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka marrë nga paratë tona publike 106.189.000 euro. Nëse për 2008 “Rudnap”, është përfituesja e parë e parave, në çmimin e ofruar rezulton e 5-a ndër 8 kompanitë. Pra, e shtrenjtë 2.13 euro/mgeh ne 8.79 euro/mgeh se kompanitë e renditura poshtë saj si përfituese. Shqiptarët janë me fat, që sot kanë drita, duhet të dinë se në çmimin e çdo kilovati që paguajnë, paguajnë edhe koston e interesave të familjes Berisha në energji”, - u shpreh Brace.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›