Lakrori, Ramës: Të shkrijmë PS-në me LSI-në dhe PS‘91
Kërkohet legalizimi i fraksioneve dhe kryetar i ri
Platforma mbështetet nga të vjetrit e PS-së
Shkrirje të tri partive të majta që kanë dalë nga ndarja me PS-në në një parti të vetme. Ky është propozimi më i ri që vjen nga ish-themeluesi dhe njëri prej drejtuesve të Partisë Socialiste, Maqo Lakrori. Propozimi i bërë tashmë zyrtarisht kreut të PS-së, Edi Rama, është në platformën e Lakrorit, e cila është zbardhur dje plotësisht. Duke ndjekur modelin e partive botërore që kanë ndjekur metodat e bashkimit në prag të zgjedhjeve, Lakrori i propozon Ramës rrugën se si të bëhet ky bashkim, duke e cilësuar jetik për mbijetesën e PS-së. Lakrori madje perifrazon thirrjet për bashkim që bën Rama në takimet me qytetarët, duke u shprehur: “Edhe ftesat që i bëhen popullit për bashkim, në emër të partive të ndryshme socialiste; ftesat dhe angazhimet e tjera të socialistëve të bashkuar do të jenë më të besueshme”. Ndërkohë, në platformën e tij politike, ish-zyrtari i lartë i PS-së thotë se gëzon mbështetjen e shumicës së socialistëve, që sipas tij, janë ndarë në tri parti, për idenë e bashkimit. Por duket se pak gjasa ka që kjo platformë për bashkim të gjejë mbështetjen e Ramës, duke marrë parasysh faktin se një PS e ribashkaur presupozon dhe një kryetar të ri që do të pëlqehet dhe votohet nga tri partitë. Plani tepër optimist i Lakrorit duket i parealizueshëm në kushtet ku ndodhet e majta sot, ndërkohë që ai mund të shihet si një tjetër thirrje e të vjetërve të partisë ndaj Ramës para se ata mund të marrin ndonjë vendim për braktisjen e PS-së. E kjo gjë nënkuptohet dhe tek një nga pikat e platformës që parashikon legalizim të fraksioneve të ndryshme, një gjë që vetë Rama e solli si risi në PS, por që nuk e zbatoi asnjëherë. Moslegalizimi i fraksioneve në një parti sjell ikjen e grupimeve që mendojnë ndryshe, siç ndodhi në rastin e Metës apo më pas të Petro Koçit e të tjerëve.
Propozimet e Lakrorit
Në platformën e Maqo Lakrorit jepen arsyet dhe qëllimi për këtë bashkim të partive nëpërmjet një kongresi të vetëm. Në të sqarohet se si do zhvillohet shkrirja dhe si do funksionojë një partie e re e bashkuar. Në platformë thuhet: “Procesi i propozuar ka në qendër Kongresin, si institucioni më i lartë përfaqësues. Ky autoritet kolegjial, i përbërë nga delegatët aktualë të Kongresit të PSSH-së dhe të Konventës së LSI-së, si edhe nga përfaqësues të PS’91, mblidhet njëherësh në të njëjtin mjedis dhe voton e shpall bashkimin. Gjithashtu, Kongresi miraton programin elektoral 2009 të partisë së bashkuar dhe bën ndryshimet e domosdoshme imediate në statut. Këto ndryshime imediate duhen që të ligjërojnë: 1 - Bashkimin e strukturave partiake qendrore e vendore, duke përfshirë edhe forumet rinore e të grave. 2 - Zgjidhjen e çështjes së kryetarit / kryetares së PS-së së bashkuar. Projekti parashikon votimin e fshehtë me disa kandidatura, duke përfshirë kryetarët aktualë. Në frymën e bashkimit dhe nga pikëpamja e kursimit të kohës dhe të energjive, duket më e udhës që ky votim të kryhet në Kongres; megjithatë, eventualisht Kongresi mund të vendosë që kjo zgjedhje të bëhet me votim 1A1V nga anëtarësia e partisë së bashkuar. Në çdo rast, votimi i fshehtë, që rikonfirmon njërin ose konfirmon një tjetër, vlen edhe si votëbesim.
3 - Njohjen dhe garantimin eksplicit të së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme, respektim të pakicave në parti përmes përfaqësimit të organizuar dhe kontroll e vetëkorrigjim të qeverisjes. Kjo e drejtë do të shërbejë edhe si mbrojtje strukturore nga çdo përpjekje për pushtet personal, nga cilido që të vijë dhe në çdo kohë që të vijë. Ky bashkim, ndër të tjera, bëhet duke respektuar dhe për të respektuar demokracinë e brendshme (vetëm një parti me demokraci të brendshme të zhvilluar mund të punojë për demokracinë në vend). Mundësimi strukturor i vetëkorrigjimit do të shërbejë që socialistët të kenë një parti më dinamike, më të besueshme për shtresa të ndryshme të shoqërisë, të votueshme mjaftueshëm për ardhjen në pushtet dhe të aftë për mirëpërdorim të pushtetit. 4 - Konkurrimin e hapur në parti dhe në komunitet të përfaqësuesve të PSSH-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009. Ky proces do të prodhojë më shumë cilësi dhe motivim, e për këto arsye do të shtojë mundësitë për fitoren e socialistëve në zgjedhjet 2009. Konkurrimi dhe bashkëpunimi Obama-Klinton është një referencë e pasur edhe për këtë”.