E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja mes anëtarëve aktualë dhe kandidatëve të rinj

10/01/2009  Rikonfigurimi i KQZ-së, zbardhen propozimet e lidershipit socialist

Synohet rimandatimi i dy prej tre anëtarëve aktualë të partisë në këtë institucion

Lidershipi i Partisë Socialiste po diskuton lidhur me kandidaturat për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Momentalisht po diskutohen dy propozime, të cilat synojnë rimandatimin e anëtarëve aktualë. Por nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia për të kandiduar dhe një emër të ri për të përfaqësuar Partinë Socialiste në këtë institucion.

Propozimi

Pas hyrjes në fuqi të Kodit Zgjedhor dhe dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti, Kuvendi duhet të realizoje të gjitha detyrimet që përcakton ligji elektoral. Sipas deklaratave të lëshuara nga përfaqësues të dy partive kryesore parlamentare, me hapjen e sesionit të ri Parlamenti do të angazhohet me krijimin e KQZ-së së re. Për këtë arsye partia me e madhe opozitare, ajo Socialiste, nuk ka vonuar në diskutimet për këtë çështje. Aktualisht lidershipi i Partisë Socialiste po diskuton mbi dy propozime. Burime pranë selisë rozë bëjnë me dije se së pari është propozuar që nga tre anëtarët aktualë dy prej tyre t’u jepet mundësia për të rikandiduar sërish si përfaqësues të Partisë Socialiste në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëkohësisht krahas këtij propozimi është hedhur për diskutim që vetëm një prej këtyre tre anëtarëve të rikandidojë dhe PS-ja të propozojë një emër të ri. Në ish-institucionin qendror të zgjedhjeve Partia Socialiste kishte tre anëtarë si përfaqësues të saj, përkatësisht Fatmir Kumbaro, Deshira Subashi dhe Flamur Çato. Por bazuar në atë çfarë përcakton Kodi Zgjedhor, PS-së tashmë i takojnë dy anëtarë në KQZ-në e re. Sipas Kodit, Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure: 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në parlament. Në këtë mënyrë, nëse do të qëndronte propozimi i parë mbi kandidaturat e PS-së për anëtarë të KQZ, atëherë vetëm dy nga këta emra do të kenë mundësinë për një mandat tjetër në këtë institucion. Gjithashtu, po sipas këtyre burimeve, ekziston edhe mundësia që vetëm njëri prej këtyre emrave të konkurrojë sërish, pasi lidershipi i PS-së po diskuton që të propozojë për anëtar të KQZ-së një nga ekspertët e saj, Damian Gjiknuri.

Përfaqësimi

Po kështu një tjetër propozim, që pritet të mos jetë shumë i diskutueshëm, por vetëm i zbatueshëm, lidhet dhe me përbërjen gjinore të këtij komisioni. Për lidershipin e PS-së një nga anëtarët e këtij komisioni duhet të jetë një grua, duke e bërë në këtë mënyrë disi të qartë listën e kandidatëve të saj për anëtarët e KQZ-së.

Miratimi

Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të

madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të

secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh

mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.

Propozimi

Dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vëndeve nga partitë e

shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më

të madh të vëndeve në Kuvëndin e Shqipërisë. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamenatre, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës.

Qëndrimi

PS nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim në KQZ. Sekretari për çështjet zgjedhor në PS, Kastriot Islami deklaroi se të gjitha partitë parlamentare kanë të drejtën e propozimit të kandiatëve për anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor. Në këtë pikë, PS sipas tij është e hapur për bisedime, duke mos përjashtuar në këtë rast Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›