E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, kthehet frika e përmbytjeve



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Shirat e shumtë të ditëve të fundit dhe rritja e nivelit të prurjeve rikthen frikën e përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Me urgjencë është mble-dhur shtabi i Emergjencave, i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha dhe kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli.
“Mbajtja nën monitorim të gjendjes gjatë 24 orëve do të na shërbejë për të shkallëzuar marrjen e masave në zonat problematike, duke mos përjashtuar edhe një rievakuim të banorëve në rast të përkeqësimit të situatës”, ka pohuar ministri Basha. Ndonëse nga ana tjetër, ai ka qetësuar banorët, duke u shprehur se nuk është vendi për situatë alarmante, pasi dhe vetë anëtarët e shtabit janë të përgatitur nëse rëndohet gjendja. Komuna Velipojë, Ana e Malit dhe ajo e Bushatit kanë qenë të para që janë ballafaquar sërish me probleme këtë fundjavë. Shirave të shumtë këtë fundjavë i janë bashkuar dhe shkarkimet nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Zyrtarisht deklarohet se shkarkimi i ujërave nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili është dhe hidrocentrali i fundit në kaskadën e lumit Drin, është në nivelin 1200 metër kub në sekondë. Këto prurje kanë bërë që paraditen e së dielës, në Nënshkodër të rishfaqen problemet. Zonat më problematike për momentin janë: fshati ças komuna Velipojë, fshati Ashtë komuna Bushat dhe fshati Obot, komuna Ana e Malit. Situata më problematike është në fshatin e Ashtës të komunës së Bushatit. Mësohet se në këtë zonë për shkak të prurjeve të ujërave të Drinit ka gërryerje të tokave, ndërsa disa shtëpi rrezikohen të shemben. Ushtria po dërgon atje sasi të konsiderueshme inertesh, për të bllokuar depërtimin e ujit. Edhe fshati Obot, i cili në përmbytjet e kaluara pati problemet më të mëdha, rrezikon nga shirat e fundit. Ndërsa niveli i ujit vjen dhe shtohet drejtuesit më të lartë të Shtabit të Emergjencave kanë shpejtuar të pohojnë se çdo gjë është nën kontroll. Madje sipas tyre mbledhja e djeshme është bërë pikërisht për të marrë masa që të parandalojnë çdo situatë të padëshiruar. Sipas Bashës, shkarkimet kanë qenë të paralajmëruara nga KESH dhe nga Ministria e Energjetikës. “Nisur nga shtimi i prurjeve në hidrocentrale, drejtues të KESH dhe të Ministrisë së Energjetikës na njoftuan mbi nisjen e shkarkimeve dhe ne jemi duke marrë të gjitha masat. Puna bëhet më e lehtë pasi kemi eksperiencën që kaluam. E rëndësishme është që situata është nën kontroll”. Basha pohoi se dhe gjatë 24 orëve shkarkimet nga hidrocentrali do të mbesin në këtë nivel. “Këto 24 orë do të përcaktojnë edhe atë çfarë do të bëhet më tej. Nëse do të kemi rritje të prurjeve atëherë do të kemi dhe rritje të sasisë së shkarkimeve dhe do të duhen masa të menjëhershme. Ne jemi në gatishmëri”, tha ministri. Sipas tij, “nëse ka përkeqësim në ditët në vazhdim ne jemi gati dhe për evakuim, pasi ka shumë rëndësi jeta e qytetarëve. Nuk kemi sinjalizim për rrezik të menjëhershëm, por jemi gati në çdo moment për të realizuar dhe skenarin e evakuimeve.” Ndërkohë prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu ka deklaruar në takim se hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë. Basha qetësoi qytetarët duke thënë se nuk ka vend për alarm. “Po monitorojmë situatën me kujdes gjatë 24 orëve të fundit ku do të mbahet nën mbikëqyrje nivelet e prurjeve në lumin Drin dhe të shkarkimeve me qëllim që të marrim masat e duhura për të përballuar edhe një situatë të tillë të mundshme përmbytjesh”, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›