E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku në Gërdec, predhat çoheshin me djegore montuar

Transportimi i disa prej ngarkesave të predhave nga depot e ushtrisë në drejtim të Gërdecit, dyshohet se ka qenë një proces me rrezik dhe me risk të lartë për ngjarje të papritura. 

Prokuroria është duke verifikuar dyshimet, sipas të cilave transporti i predhave të kalibrit të rëndë 52-120 mm në drejtim të Gërdecit, në disa raste është bërë me djegore të montuar. Një veprim i tillë, sipas Prokurorisë dhe ushtarakëve paraqet rrezikshmëri të lartë. Kjo, pasi predha me djegore të montuar rrezikon aktivizimin e menjëhershëm në rast të tronditjeve apo rënies në kontakt me faktorët nxitës, si shtypja, nxehtësia apo përplasja. Sipas Prokurorisë, dyshimet se janë se një sasi predhash, të cilat ishin grumbulluar në depot ushtarake pas vitit 1997, kanë qenë me djegore të montuar. Për shkak se ato kanë pasur gëzhojë tunxhi, në këtë gjendje ato dyshohet se janë dërguar në Gërdec, duke qenë në këtë mënyrë një rrezik eventual për ngjarje të paparashikuara jo vetëm gjatë çmontimit, por edhe gjatë transportimit nga depot ushtarake në drejtim të fabrikës së çmontimit të municioneve. Dërgimi i predhave dhe i djegoreve në Gërdec, është një abuzim i veçantë që po hetohet nga Prokuroria, pasi në rast se predhat do të demontoheshin, transporti i djegoreve në Gërdec ishte jo vetëm me rrezik, por edhe i panevojshëm. Djegorja, sipas Prokurorisë dhe ushtarakëve është e nevojshme vetëm në rastet kur predha transportohet për përdorim ushtarak, pra për qitje. Gjithsesi, ky duket një abuzim i veçantë që po hetohet ndarazi me dyshimet sipas të cilave, disa sasi predhash janë çuar në Gërdec me djegore të montuar, duke shkelur kështu rregullat dhe udhëzimet ushtarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›