E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, PD pranon kërkesat e Presidentit Topi

PD pranon kërkesën e Presidentit për ndryshimin e disa prej neneve të ligjit “Për legalizimet”. PD-ja ka paraqitur në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese disa prej ndryshimeve të neneve. 

Bledar Hoti

PD pranon kërkesën e Presidentit për ndryshimin e disa prej neneve të ligjit “Për legalizimet”. PD-ja ka paraqitur në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese disa prej ndryshimeve të neneve.PD plotësoi një pjesë të kërkesave të Presidentit Topi për çështjen e legalizimeve, që lidhen me kompensimin e ish-pronarëve, si dhe me rivendosjen e kompetencave të bashkive dhe komunave të vendit.  Relatori i çështjes së kthimit të dekretit dhe të shqyrtimit të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, demokrati Ardian Kollozi ka paraqitur një sërë amendamentesh që përmbushin një pjesë të mirë të kërkesave të Presidentit Topi. Socialistët në mbledhjen e djeshme janë ndjerë të befasuar në lidhje me ndryshimet e pranuara nga ana e maxhorancës dhe kanë kërkuar më tepër kohë për shqyrtimin e tyre. Kryetari i komisionit, socialisti Ylli Bufi, kërkoi 24 orë kohë në dispozicion për të shqyrtuar amendimet e paraqitura. “E shoh se maxhoranca është e koordinuar në këtë proces dhe se amendamentet janë në emër të maxhorancës, por ne duam të paktën 24 orë kohë për të shqyrtuar këto amendamente”, theksoi Bufi. Deputetët e maxhorancës, Uka dhe Kollozi, kërkuan që këto ndryshime të votohen në mënyrë të shpejtë, pasi, sipas tyre, nuk ka më kohë për të humbur. Ndërsa deputeti i PS-së, Ndriçim Hysa ka deklaruar se, “ndryshimet e reja të PD-së nuk ia rikthejnë kompetencat bashkive dhe komunave, por lënë përsëri si përgjegjës, si kryetar bashkie të gjithë Shqipërisë, Shaban Meminë”.
Kompensimi
brenda 3 muajve
Deputeti demokrat Kollozi deklaroi pas mbledhjes se “nuk do të ketë më ish-pronarë pa u kompensuar gjatë procesit të legalizimit”. Nga data 1 gusht i këtij viti, ALUZINI duhet të paraqesë para Këshillit të Ministrave listën me pronarët e ligjshëm që iu zaptua toka nga ndërtimet pa leje. “ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, listën me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 1 gusht 2008”, është propozimi i PD-së për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas Kollozit, ky është një ndryshim esencial i ligjit, çka është edhe në dobi të ish-pronarëve. “Brenda datës 1 gusht, Agjencia e Legalizimit i kalon listën e parë të pronarëve qeverisë, e cila e merr dhe brenda 3 muajve Agjencitë e Kthimit të Pronave duhet të bëjnë kompensimin e pronarëve. Ndërkohe brenda këtij afati kohor Agjencia e Legalizimit ka përgatitur të gjithë dokumentacionin që ndërtimet pa leje të pajisjen me certifikata. Pra është një veprim i drejtë, nuk i merret toka dikujt pa u dëmshpërblyer dhe nuk bëhet pronar dikush pa u dëmshpërblyer pronari i vjetër. Nuk do të ketë leje legalizimi pa u dëmshpërblyer pronari i vjetër”, theksoi Kollozi. Ndërsa më parë kompensimi i ish-pronarëve realizohej brenda një afati 6-mujor.

Propozimet e maxhorancës

Në nenin 4, pika 2

Pika c) shfuqizohet
c) “ALUIZNI bën përcaktimin e territoreve me ndërtime informale brenda njësive të qeverisjes vendore.
Në nenin 7 bëhen këto ndryshime
Shkronja a) shfuqizohet
a)subjektet që kanë ngritur objekte informale, kryejnë vetëdeklarimin pranë zyrës së urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore, sipas nenit 1 të këtij ligji.
Shkronja b ndryshohet si më poshtë:
b) njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit dhe argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit. Ku për shkak të mungesës së kapaciteteve, neglizhencës apo ndonjë pengese tjetër, njësia e qeverisjes vendore nuk ushtron përgjegjësinë për kualifikimin e objekteve informale, brenda afatit, kjo përgjegjësi ushtrohet tek ALUIZNI.
Shkronja c ndryshohet si më poshtë 
c) “Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t kryen evidentimin në terren të ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital dhe përpunimin e të dhënave të tyre, sipas ndarjes së kadastrave”.
Shkronja d riformulohet si më poshtë:
d) përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve.
Pas shkronjës d) shtohet shkronja “d/1” me këtë përmbajtje:
d/1) ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, listën me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 1 gusht 2008.
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime  
Shkronja a) riformulohet si më poshtë:
a) Njësia e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me ALUIZNI-n i propozon KRRT-ve, apo KRRTRSH-së, për miratim, kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara, së bashku me detyrën e projektimit për urbanizimin e tyre.
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime:
Pika 2 riformulohet si më poshtë:
2. Statusi i parcelës ndërtimore nuk ndryshon, e drejta e zhvillimit të saj i përket pronarit të ligjshëm dhe objekti pa leje shfrytëzohet nga familja që e disponon atë deri në momentin e sistemit me banesë.
Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:
Paragrafi i fundit i nenit 24 riformulohet si më poshtë:
Për objektet e përcaktuara në nenin 36 të ligjit, zyra e urbanistikës së njësisë së qeverisjes vendore përcjell pranë ALUIZNI-t argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit, dokumentacionin e sipërpërmendur, si dhe çdo dokumentacion tjetër që ajo disponon për objektet, në përputhje me afatin e vendosur në nenin 10, germa “a” të këtij ligji.
Në nenin 28 bëhen këto ndryshime:
Pika 5 e nenit 28 riformulohet si më poshtë
5. Në territoret e përcaktuara si territore me ndërtime informale ndalohet dhënia e lejeve për shesh ndërtimi, ose e lejeve të ndërtimit subjekteve private, deri në miratimin e studimit urbanistik për to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›