E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR, aksion në Veri për heqjen e barrikadave. Serbët plagosin 10 ushtarë

20-10-2011 / Gazeta 55

Pjesëtarët francezë të KFOR-it gjatë natës kanë larguar barrikadën para vendkalimit kufitar Bërnjak. Gjatë konfrontimeve me serbët lokalë mediat në Kosovë raportojnë se 10 ushtarë të KFOR-it u lënduan. Serbët nuk e pritën mirë këtë reagim të KFOR-it duke thënë se “Nuk keni për të na dëbuar nga këtu”. KFOR-i ka përdorur gaz lotsjellës pasi serbët provuan të pengojnë heqjen e barrikadave, raportojnë mediat e huaja në veri.
Ushtarët gjermanë dhe austriakë të KFOR-it kanë arritur të largojnë një pjesë të barrikadës së serbëve në fshatin Zupç duke bërë të mundur hapjen e një rruge për komunikacion. Pika kufitare 31 ne Bërnjak që ndan Kosovën me Serbinë, tashmë është në duart e policisë së EULEX-it. Gjatë natës KFOR-i u bëri thirrje serbëve të rebeluar që të largohen nga barrikadat, ndërsa këta të fundit kanë lëshuar alarmin ku u bënë thirrje qytetarëve të dalin në barrikada. Trupat e KFOR-it filluan misionin e tyre rreth orës 4 të mëngjesit, por nuk kanë arritur ende të largojnë tërësisht barrikadat, për shkak se janë mbledhur mjaft serbë. Ky veprim i KFOR –it erdhi pas thirrjes së vazhdueshme që misioni i NATO-s në veri u bëri serbëve lokalë. Aktualisht situata në Bërnjak vlerësohet e qetë, por rruga deri atje vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërkohë që raportohet se një numër i serbëve janë duke u mbledhur në afërsi të pikës tjetër kufitare në Jarinjë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›