E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë siguri në veri

Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 21:12

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler, ka thënë se trupat paqeruajtës që ai drejton do të vazhdojnë të ofrojnë siguri në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun kurdo herë që e kërkon nevoja.

Ai këto komente i bëri të enjten pas një takimi që kishte me Komitetin Ushtarak të NATO-s, i udhëhequr nga admirali Gjanpaolo di Paola, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku.

Në prani të anëtarëve të këtij Komiteti, kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimet më të larta për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it, përkatësisht të NATO-s për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Ai edhe në këtë takim ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun, duke thënë se nuk do të ketë kthim prapa të gjendjes së para 25 korrikut.

Gjatë konferencës për media, komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler, ka ritheksuar se KFOR-i do të ofrojë siguri në veriun e Kosovës kurdo që e kërkon nevoja.

“E kemi bërë në të kaluarën për shkak të situatës së sigurisë nuk ka pasur mënyrë tjetër për të çuar nëpër vendkalime kufitare, sepse ka qenë pjesë e marrëveshjes fillestare të cilën ne e arritëm gjatë natës së 25-26 korrikut dhe kur e bëmë në të kaluarën natyrisht se do e bëjmë edhe në të ardhmen nëse gjendja e sigurisë e kërkon këtë punë”, ka thënë gjenerali Byhler.

Nga ana e tij, Admirali Gjanpaolo Di Paola, ka vlerësuar se situata në veri pas zhvillimeve të fundit është delikate dhe si e tillë kërkon trajtim të vëmendshëm.

“KFOR-i është përgjegjës për sigurinë, procesi politik për përmirësimin e situatës nuk është përgjegjësi e KFOR-it, por e autoriteteve legjitime në të dyja anët, pastaj Komitetit ndërkombëtar dhe përgjegjësi e EULEX-it dhe dialogu që është duke u zhvilluar në mes të Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin dhe duke u ndihmuar nga BE. Kjo është fundamentale dhe kjo është mënyra apo rruga për të ecur përpara dhe KFOR-i do të vazhdojë që të ofrojë sigurinë që është një kusht esencial për zhvillimin e dialogut”, ka thënë Di Paola.

Sipas tij rritja e sigurisë në vend do të ndihmojë edhe dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Situata e sigurisë është kusht për zhvillimin e dialogut. Tani kemi filluar të ecim përpara me anë të politikës dhe dialogut. Ne jemi këtu për të krijuar kushte të qëndrueshme të sigurisë bashkë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës që ky dialog te eci përpara. Besoj se të gjitha palët do të jenë të përgjegjshme për këtë dialog i cili është çelësi kryesorë për siguri dhe stabilitet në Kosovë”, ka thënë Di Paola.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, Byhler ka thënë se nuk është në plan që të reduktohen forcat e KFOR-it.

“Nuk kemi plane për të reduktuar KFOR-in dhe çfarëdo reduktimi i mëtejshëm do të ndërlidhet me kushtet dhe një nga kushtet më të rëndësishme është që të arrijmë një zgjidhje politike të qëndrueshme dhe të mirë dhe në gjendje të mirë të sigurisë në veri. Këto janë kushtet më të rëndësishme për reduktimin e mëtejshëm. Askush nuk duhet të frikësohet nga ky reduktim i për çdo muaj, sepse në të dyja palët duhet të kërkojnë që të kemi siguri në Kosovë dhe nëse ka siguri kur do të arrijmë kushtet për reduktim kjo do të thotë se siguria është përmirësuar”, ka thënë ai.

Komiteti Ushtarak përfaqëson një lidhje të veçantë në mes të procesit politik vendimmarrës dhe strukturës ushtarake të NATO-s. Zyrtarët e NATO-s nesër do të marrin pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›