E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i fillon hetimet për dokumentin që akuzon Halitin

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 19:00

Pas shkrimit të Le Monde, KFOR-i ka nisur një hetim të brendshëm lidhur me raportet mbi dokumentet që kanë të bëjnë me ish-pjesëtarin e UÇK-së tani anëtar i PDK-së, Xhavit Haliti dhe që janë publikuar në gazetën franceze.

Përmes zëdhënësit Hans Dieter Wichter, KFOR-i ka reaguar pas publikimit të këtij shkrimi, duke bërë të ditur se lidhur më këtë edhe kanë filluar hetimet për burimet e këtij dokumenti.

“Dje, mjetet e informimit kanë publikuar një dokument, i cili është përmendur si dokument i fshehtë i KFOR-it. Mjetet e informimit citojnë që dokumenti mund të jetë përpiluar në vitin 2004 ose edhe më herët. KFOR-i ka filluar një hetim të brendshëm lidhur me burimin e këtij dokumenti si dhe pyetjeve të tjera që kanë të bëjnë me këtë dokument. Meqë kjo çështje është duke u hetuar, ne nuk mund të ofrojmë më shumë komente lidhur me raportet të cilat janë paraqitur në internet ose në mjetet e informimit”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KFOR-it, kapitenin Hans Dieter Wichter.

Gazeta franceze Le Monde, duke iu referuar një dokumenti sekret të KFOR-it të vitit 2004, ka paraqitur “anën tjetër të medaljes” të Xhavit Halitit, i cili është fytyrë kyçe e PDK-së së Hashim Thaçit.

Ndaj shkrimit të Le Monde ka reaguar vetë Haliti dhe organizatat e luftës së UÇK-së, të cilat kanë thënë se ky është edhe një raport tjetër për të krijuar mjegull para diskutimit të raportit të Dik Martit në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›