E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i të papunëve në Klinë

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 19:16

Komuna e Klinës në vitin 2011 ka hyrë me 7335 persona të cilët janë te regjistruar në Zyrën për Punësim dhe presin që të punësohen. Gjate vitit që lamë pas, Zyra për Punësim ka arritur të punësojë gjithsej 90 persona, që krahasuar me numrin e atyre që presin punë, është shumë i vogël.

Në bazë të një hulumtimi të një organizate vendore, Komuna e Klinës cilësohet si njëra ndër komunat më numër më të madh të papunëve në Republikën e Kosovës.

Zyrtarët e Entit për Punësim në Klinë, tregojnë se shifra e prezantuar nuk është reale, pasi që ka shumë qytetarë të kësaj komune që janë të papunë dhe që nuk janë lajmëruar fare në Zyrën për Punësim.

Të lajmëruarit në këtë zyre janë me përgatitje të ndryshme shkollore, duke filluar nga shkolla fillore deri tek ata me përgatitje universitare.

Qaush Imeri, përgjegjës i Zyrës, thotë se në vitin 2011 kanë hyrë me ketë shifër të papunëve, por duke pasur për baze se nga qytetarët nuk janë te lajmëruar në këtë zyre, atëherë del se numri i të papunëve shumë i madhe.

“Gjate vitit 2010 me disa projekte nga KOSFET dhe UNDP-ja, kemi arritur të punësojmë një numër simbolik, prej 90 qytetaresh, që kanë qenë të lajmëruar në këtë zyre”, tha ai.

Megjithatë Imeri është optimist se në këtë vit, numri i projekteve përmes të cilave do të punësoheshin qytetarët do të jetë më i madh.

“Aktualisht e vetmja mënyre për të zbutur sadopak papunësinë, është në qoftë se Qeveria e Kosovës kontrakton punë në botën e jashtme, e që deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur, edhe pse qeveria ka nënshkruar një varg marrëveshjesh më shtetet evropiane për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës”, thotë përgjegjësi i zyrës për punësim ne Klinë Qaush Imeraj.

Nga ana tjetër qytetarët që presin për punë pranë kësaj zyre, shpresojnë se ndoshta është më lehtë të gjendet punë përmes zyrës për punësim, ndërsa sa i përket zbutjes së papunësisë në vitin që kemi hyrë, ata shprehen skeptik dhe janë të mendimit se deri te puna arrihet vetëm me njohësi.

”Ka vite që jam i lajmëruar si i papunë në Zyrën për Punësim dhe deri më tash nuk kam pas fatin të gjej punë”, tha Ilaz Gashi nga fshati Përçevë, i cili mendon se për të arritur deri tek një vend i punës padyshim e duhet pasur njohësi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›