LSI, thirrje PS: Pranoni humbjen
Lëvizja Socialiste për Integrim hedh poshtë pretendimet e Partisë Socialiste se gjoja LSI në bashkëpunim me PD po pengojnë përfundimin e numërimit të votave. LSI deklaron se nëse është një parti që i janë vjedhur votat, ajo është pikërisht LSI. Ndër të tjera kjo vërtetohet edhe me faktin se LSI nuk ka asnjë komisionerë në KQZ dhe nuk i është krijuar mundësia për të marrë pjesë në tryezat e numërimit të votave me qëllim menaxhimin e votave të saj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, anëtari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, nisur nga paralajmërimet e shumta të Partisë Socialiste për protesta masive, dhe mosnjohjen e zgjedhjeve, i ka bërë thirrje kësaj force politike që të tërhiqet nga deklaratat e saj dhe të pranojë humbjen në zgjedhje.
Por, një fakt të tillë kreu i saj, Edi Rama e ka tepër të vështirë për ta pranuar sepse e di fare mirë se çfarë e pret dhe fshihet pas paralajmërimeve të tilla për tu justifikuar përballë qytetarëve shqiptarë por dhe vet të majtëve, humbjen historike që i shkaktoi PS ndër vite. Ndër të tjera, selia rozë përsërit në mënyrë të vazhdueshme pretendimet e saj se gjoja LSI në bashkëpunim me PD po pengojnë përfundimin e procesit të numërimit. Nisur nga këto deklarata, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka hedhur poshtë këto deklarata duke i cilësuar ato të pavërteta. I kujtojmë atyre se, me instistimin kushtëzues të lidershipit të PS-së, LSI nuk është pjesë e administrimit zgjedhor, e KQZ apo e ndonjë strukture tjetër që administron rezultatin zgjedhor. Përkundrazi, LSI ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm zgjedhor, pikërisht nga pamundësia për të marrë pjesë në tryezat e numërimit të votave për të menaxhuar votat e saj, sqaroi ai. Ndër të tjera, Haxhinasto i ka cilësuar këto qëndrime, pretekste të Ramës për të mos pranuar humbjen. Ai i ka bërë thirrje forcave politike, kryesisht PD dhe PS që të marrin pjesë në administrimin e procesit zgjedhor dhe i cilësoi këto qëndrime. Qëndrime të tilla manipulative dhe të mbushura me mllef nga ana e lidershipit të PS, nuk e ndihmojnë atë të ndryshojë rezultatin e humbjes që ka pësuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Unë përfitoj nga ky rast ti bëjë thirrje forcave politike, kryesisht PS-PD, që marrin pjesë në administrimin e procesit zgjedhor, të realizojnë sa më parë deklarimin e rezultatit përfundimtar, për të mos dëmtuar më tej standardet e nevojshme për zgjedhje të lira e të ndershme, theksoi Haxhinasto.