Remzi Hoxha, humbin në Holandë pyetjet për Loshajn
TIRANE – Humb në Holandë letërporosia me pyetjet e Avdyl Loshajt, dëshmitarit “kyç” të dosjes “Remzi Hoxha”. Letërporosia ka mbërritur në Ministrinë holandeze të Drejtësisë, por më pas ka humbur. Për këtë shkak, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje ridërgimin e letërporosisë në Holandë. Lajmi u bë i ditur në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-punonjësve të Shërbimit Sekret, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopulit e Avdyl Loshajt në vitin 1995. Në seancë u relatuan dy korrespondenca të Ministrisë së Drejtësisë të vendit nordik, ku ndodhet aktualisht dëshmitari Loshaj. Shkresat ishin përgjigje të interesimeve të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare mbi gjendjen e letërporosive për marrjen e dëshmisë së tij. Në shkresën e datës 3 shkurt 2010, nga autoritetet holandeze pohohej që “kërkesa juaj për asistencë ligjore në pyetjen e dëshmitarit Avdyl Loshaj nuk ekziston të ketë mbërritur”. Në përgjigjen e datës 19 shkurt 2010 të autoriteteve holandeze konfirmohej fakti i mbërritjes së letërporosisë, por bëhej e ditur humbja e dokumenteve. Sipas shkresës, pas verifikimeve ishte konfirmuar hyrja e letërporosisë shqiptare në institucion. Por ndonëse hyrja e saj ishte protokolluar, dokumentet nuk gjendeshin më, kishin humbur. Në përfundim të të dyja korrespodencave, autoritetet holandeze i kërkonin palës shqiptare të bënte një kërkesë të re, nëse i qëndronin marrjes së dëshmisë së Loshajt. Po dje gjykata relatoi konfirmimin e drejtësisë italiane për mbërritjen e letërporosive të pyetjes së dëshmitarëve, Riza Shehu dhe Eduart çoku. ar.ba