Votimi për anëtarin e KLD, Ruçi: Asnjë të mos mungojë

Nga mbledhjet e Grupit të PS
Grupi Parlamentar i PS përgatitet për votimin e nesërm në Kuvend.
Rama: Kemi kandidatin tonë, nuk dimë si do votohet.
Partia Socialiste do të garojë të enjten në Kuvend me avokatin Ardian Visha për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kërkesa për këtë kandidaturë nga Grupi Parlamentar socialist ka marrë pëlqimin që javën e shkuar bashkë me firmat që formalisht kërkohen për ta regjistruar në Kuvend si kandidat zyrtar. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar, kreu i tij, Gramoz Ruçi, ka kërkuar pjesëmarrje maksimale dhe pa mungesa të deputetëve në sallën e Kuvendit, ndërsa ende nuk dihet, sipas tij, se do të votohet. Kreu socialist, Edi Rama, prezent dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar, është shprehur se PS e ka kandidatin e saj. Siç e dimë, të enjten do të bëhet votimi për anëtarin e KLD-së. Ne kemi kandidaturën tonë, nuk e kemi shumë të sigurt nëse do të bëhet me kuti apo me votim të fshehtë elektronik. Parlamenti ka pasur eksperienca të ndryshme votimi, mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve.
Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar nuk ka pasur diskutime apo debate rreth kësaj pike dhe emrit që PS ka vendosur përballë kandidaturës së maxhorancës, Elis Çefa. Por, një javë më parë, të martën, në orët e vona të mbrëmjes, Rama ka thirrur Kryesinë e Grupit Parlamentar për të diskutuar emrin e Vishës si kandidatura socialiste për në KLD. Ka qenë ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, por jo vetëm, i cili ka kundërshtuar propozimin e Ardian Vishës në këtë post, duke thënë se ai ka qenë mbrojtësi ligjor i Fatmir Mediut. Ndërsa të nesërmen e debatit, deputetët socialistë janë thirrur në selinë rozë për të firmosur kërkesën për Ardian Vishën si kandidat të PS. Mësohet se argumentimi nga PS për këtë kandidim bazohet te fakti se Visha mund ta bashkojë votën e deputetëve socialistë me ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe të republikanit Fatmir Mediu dhe të ndonjë deputeti tjetër të djathtë, duke e kthyer votimin për anëtarin e KLD-së si një betejë numrash mes maxhorancës dhe opozitës. Votat që do të marrë njëri kandidat dhe tjetri pritet të ndezin debatin politik në vend për numrat që disponon maxhoranca dhe opozita në Kuvend, duke nisur dhe përllogaritjet e votimit të Presidentit të Republikës në korrik të këtij viti.
Ardian Visha
Avokati i njohur, Ardian Visha, ka udhëhequr grupin e mbrojtësve të Fatmir Mediut në çështjen Gërdeci, pas së cilës, ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e tragjedisë rifitoi imunitetin në shtator të vitit 2009 dhe rimbylli çështjen. Ai po ashtu ka qenë avokat i Almir Rrapos, ish-shef kabineti i Ilir Metës, që u ekstradua në SHBA, si dhe mbikëqyrës i grupit të avokatëve të Ilir Metës. Ai ka qenë avokat i trafikantit turk Abdulselam Turgut, që u arratis pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Visha ka qenë zv.prokuror i Përgjithshëm gjatë kohës së Theodhori Sollakut.
Elvis Çefa
Rreth 30 deputetë të Partisë Demokratike kanë propozuar Elvis Çefën si zëvendësues të Spahiut në krye të KLD-së. Partia Demokratike i propozoi Kuvendit emrin e kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ishte kreu i maxhorancës, Sali Berisha, që vlerësoi aktivitetin dhe personalitetin e Çefës. Sipas tij, Çefa i plotëson të gjitha kriteret për anëtar të ri të KLD-së, duke përmendur eksperiencën e tij si jurist prej më shumë se 15 vitesh, siç e kërkon ligji.
PS, debat me publikun dhe aleatët për reformën zgjedhore
Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, se PS është e gatshme të diskutojë në një debat të hapur për reformën zgjedhore deri në ndryshimin e sistemit zgjedhor, kërkesë e bërë nga partitë e vogla të koalicionit të majtë, por edhe të djathtë. E kemi thënë që në krye të herës dhe do këmbëngulim. Ne jemi për ta prekur dhe sistemuar në dakordësi me të gjitha forcat politike për të adresuar shqetësimet e partive të vogla, jo si interes i PS-së, por si interes publik. Ne jemi të gatshëm të marrin një nismë publike për ta ndarë debatin me forcat e tjera publike dhe me publikun. Debati është zhvilluar në mënyrë sporadike, me deklarime të palëve veç e veç, por nuk është një debat që përfshin publikun. Jemi të gatshëm për çdo nismë që marrin forcat e tjera politike, pasi bëhet fjalë për të garantuar reformën, dhe jo vetëm një palë, se në këtë fazë e rëndësishme është që debati të bëhet në mënyrë transparente dhe të hapur. Rruga e përbashkët bën të mundur gjetjen e konsensusit, u shpreh Rama.
ARISTIR LUMEZI