E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, krijohet në polici zyra "antimafia"



Trazhgim Sokolaj

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit krijon "zyrën antimafia", pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri për hetimin e pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale. Zyra e re është krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri Antimafia, i cili u miratua fundvitin e kaluar dhe hyri në fuqi në datë 24 janar 2010. Burime të Policisë së Shtetit thanë se aktualisht zyra ka një organikë prej rreth dhjetë personash, hetues të specializuar për gjurmimin e rasteve të krimit ekonomik. Sipas këtyre burimeve, zyra është krijuar me qëllim për vënien në zbatim të ligjit të ri Antimafia për hetimin e pasurive të personave që dyshohen për shtatë vepra të rënda penale, që kanë të bëjnë me organizatat kriminale, trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe krimet që lidhen me terrorizmin. Krijimi i një strukture më vete, e cila ka për objekt të punës së saj vënien në zbatim të ligjit Antimafia, sipas policisë është bërë me qëllim për rritjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në identifikimin e pasurive të vëna nga krimi dhe referimin e këtyre rasteve në organin e akuzës për ndjekje penale. Sipas burimeve policore, zyra në fjalë ka nisur tashmë punën në bashkëpunim me prokurorinë, dhe një nga hapat e parë të ndërmarrë ka qenë krijimi i infrastrukturës së nevojshme për ndërlidhje me organet e Tatimeve, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, hipotekat, bankat dhe një sërë institucionesh të tjera që qarkullojnë të dhëna mbi bizneset. Qëllimi i zyrës, sipas burimeve të policisë, është krijimi i një databaze të plotë mbi bizneset në Shqipëri, në mënyrë që për çdo rast të dyshuar, të disponohen informacionet mbi burimet e financimit dhe objektin e veprimtarisë për subjektet që hetohen. Gjatë viteve të fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar qindra persona me akuza për trafik armësh, droge ose qeniesh njerëzore, të cilët kanë rezultuar me prona ose aktivitete biznesi me fitimet e arritura nga veprimtaria kriminale. Pronat e tyre janë sekuestruar me ligjin e parë Antimafia, i cili u miratua në shtator 2004, por që doli jashtë loje nga një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, i shpallur në 25 janar 2007. Ky vendim parashikoi se mund të sekuestrohej vetëm pasuria e vënë nga personat e dyshuar pas arrestimit të tyre, duke u bërë shkak kështu për hartimin e një ligji të ri me qëllim goditjen e pasurive të vëna nga krimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›