Vrau bashkëshortin pas dy javësh martese, kërkon mëshirë nga gjykata
E akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj, Vitore Doda ka kërkuar mëshirë përpara trupit gjykues në seancën e mbajtur ditën e djeshme. Ndërsa ka dhënë konkluzionet e saj, e pandehura ka shpjeguar se e ka pranuar krimin e kryer rreth një viti më parë. “Kam pranuar që e kam kryer krimin për vetëmbrojtje. Kërkoj mëshirë nga ana juaj”, - i është drejtuar dje gjykatëses së çështjes, Shefkie Demiraj. Nga ana tjetër, avokatia e saj i ka shpjeguar gjykatës se klientja e saj ishte penduar për krimin që ka kryer. “Gjykata gjatë dhënies së vendimit duhet të ketë parasysh rrethanat cilësuese, si dhe faktin që klientja ime ka një fëmijë të vogël”, - ka shpjeguar mbrojtja. Dy seanca më parë, prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore dhe dënimin me 6 vjet burg për 28-vjeçaren Doda. Sipas akuzës, e pandehura në datën 25 gusht ka qëlluar me një thikë bashkëshortin e saj, Marash Dodën, i cili kishte tentuar t’i vriste të atin. Sipas akuzës, viktima kishte shfaqur edhe më parë shenja revoltimi dhe dhune. Nga hetimet ka rezultuar se viktima, 40 vjeç, tre ditë përpara se të ndodhte ngjarja, ishte paditur nga motra e tij, Luljeta, pasi e kishte qëlluar me sëpatë në kokë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, e pandehura kishte dy javë që ishte martuar me viktimën Doda, 40 vjeç, i cili kishte braktisur gruan së bashku me tre fëmijë, ndërsa e kishte marrë të pandehurën dhe jetonte në banesën e tij, që ndodhet në afërsi të Bregut të Lumit, Tiranë. Megjithatë, lumturia për të dy zgjati vetëm 14 ditë. Kjo, pasi sherret e vazhdueshme dhe varfëria çuan në vrasjen e bashkëshortit të Vitores. Një ditë para se të ndodhte ngjarja, kjo e fundit kishte lajmëruar prindërit e saj që të vinin ta merrnin nga shtëpia e bashkëshortit. Ditën e ngjarjes prindërit kanë shkuar të marrin Vitoren, kur bashkëshorti i saj ka nisur të konfliktohet me prindërit. Ajo më pas ka marrë thikën e bukës dhe më pas e ka qëlluar të shoqin në zemër, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Vetë prindërit e vajzës, por edhe të afërmit e viktimës, të cilët janë marrë në pyetje nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, kanë bërë me dije se çifti kishte pasur konflikte gjatë 14 ditëve që ata ishin martuar. Viktima ishte babai i tre fëmijëve, që kishte pasur nga martesa e tij e parë. Ndërsa me Vitoren ishin martuar dy javë para se ajo ta vriste në hyrje të banesës së prindërve të tij. Ditën e djeshme, gjatë seancës së radhës, Vitoria deklaroi se ajo e kishte kryer krimin për t’u vetëmbrojtur dhe se kërkonte mëshirë nga gjykata.
Akuza
Prokuroria e Tiranës ka ngritur në ngarkim të 28-vjeçares akuzën e “vrasjes në rrethana të tronditjes së fortë psikike”. E pandehura është penduar për krimin e kryer. Kjo e fundit është vetëdorëzuar në polici pasi vrau bashkëshortin.