E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudina - Nëna, frymëzuesja e lirisë sime

 

arta marku

“E ndjen aromën e fortë të naftalinës?”. Rudina Magjistari, më pyeti duke qeshur në telefon. “Eshtë aq e fortë sa më duket sikur depërton derti tek ti, pavarësisht distancës”. Rudina kishte hapur sëndukun e kujtimeve. Jo atë virtualin, por të vërtetin, në shtëpinë e së ëmës dhe kishte mbushur vendin për rreth jo vetëm me erë naftaline, por edhe me foto të panumërta bardhë e zi, prej nga i dukej sikur i buzëqeshnin sytë e saj... kur ishte 1 vjeçe, 3, 5, 10... 15 vjeçe. Diku me të ëmën, diku me tezet a kushërirat, tjetërkund me vëllezërit, të atin... Papritmas i duket se kujtimet e fiksuara në kuadratet bardhë e zi, janë pak. Sa pak dhe nuk ia konturojnë mirë të kaluarën prej fëmije apo prej adoleshenteje. Ose më saktë nuk ia konfigurojnë, pasi kujtimet mbeten sidoqoftë plasave të kujtesës së çdo njeriu. Kësisoj edhe për Rudinën, sado që për një çast mendoi se do të kish qenë më mirë që sënduku i fotove bardhezi të ishte ende më i mbushur se ç’është në të vërtetë.
Nuk ishte një rastësi që e bëri t’i drejtohej atij vendi reliktesh në shtëpisë e së ëmës, e as ndonjë dëshirë e çastshme që mund t’i vijë ndonjë njeriu, për të shfletuar albumet e fotove e për të shijuar rikthimin virtual në kohërat e shkuara. I duheshin foto për të ilustruar rrëfimin e saj lidhur me raportin nënë e bijë...
Sepse, të fliste për marrëdhënien e saj me nënën kish qenë më joshësi prej propozime që i pata bërë Rudina Magjistarit, kohë më parë. Mesa duket, u përfshi aty për aty në kujtimet të largëta që siç ndodh rëndom, tek mbërrijnë nga periudha e fëmijërisë, janë më të ëmbla dhe të buta. Pranoi të më fliste për këtë temë të pafundme. Ndoshta, ndjeu nevojën edhe për vete, që t’i sistemonte mendimet në këtë aspekt. Se kur shkruan është më mirë. Por ndoshta, siç sërish rëndom mund të ndodhë me njeriun, ndjeu menjëherë nevojën për t’ia shprehur së ëmës dashurinë me fjalë. Ashtu si pothuaj askurrë s’i kish shprehur. Ashtu siç përgjithësisht fëmijët nuk dinë t’ua shprehin nënave të tyre, anipse këto të fundit, siç vetë Rudina është e bindur, përkundër kësaj situate, dinë aq mirë t’ua shprehin bijve.
E teksa rrëfimin e kish hedhur e zeza mbi të bardhë, kishte mbërritur çasti i përzgjedhjes së fotove. Por nuk ishte një punë fort e lehtë. Rudina buzëqesh tek më sqaron se duhet të bëjë një përzgjedhje të kujdesshme. “E di pse?”. Paskësh vënë re se e ëma, krejt instinktivisht, pavetëdijshëm, tjetërsohet para aparatit fotografik... “pozon”, më qartëson, duke këmbëngulur edhe te doza e humorit të kësaj thënieje. Gjithsesi, ish vënë në kërkim të fotove ku gruaja e mirë, të cilës e bija i ngjan tmerrësisht shumë, është tërësisht natyrale, ka harruar apo neglizhuar të pozojë dhe për rrjedhojë është e vërtetë. Sepse kërkon të thotë të vërtetën. Fundja a nuk është ky një tipar që vetë e ëma ia ka mëkuar? Mesa duket.
... Në një çast edhe mua, mu duk sikur në ajër filloi të vërtitej aroma e fortë e naftalinës. S’ka gjë se fotot më mbërritën nëpërmjet postës elektronike. Ndoshta do të më vërtitej e njëjta aromë, gjithsesi, sepse kujtimet e provokojnë shpesh. Pse jo edhe ato të Rudina Magjistarit...
Mamaja, ç’është për
    ju: prind, shoqe,
    udhëheqëse, model për t’u ndjekur...
Mendoj që ka qenë gjithmonë prind. Shpeshherë, model për mua. Ndoshta është përpjekur të më jetë shoqe, por unë besoj se për një prind, që vërtet të jetë i tillë (prind pra), kjo gjë është e pamundur.
-Në ç’pikëpamje mamaja juaj ka qenë model për ju? Cilat janë ato karakteristika të saj që ju janë injektuar apo i keni përvetësuar?
Më ka pëlqyer gjithmonë tek ajo dëshira dhe nevoja për të qenë ndryshe, ose më saktë për të mos u njëjtësuar me masën, për të qenë vetja edhe në kohën kur të qenit individ të vështirësonte ekzistencën. Kam adhuruar tek ajo aftësinë për të krijuar konfidencë në komunikim me njerëzit. Prakticiteti i saj e ka bërë gjithmonë një grua shumë tërheqëse. Ime më është njeri i fortë, që më ka mësuar të vlerësoj veten e të kem kurajë. Më ka ushqyer me një ndjenjë optimizmi, gjë të cilën tek ajo e kam admiruar gjithmonë. Më ka orientuar dhe mbështetur që të arrij të jem e pavarur. I jam mirënjohëse pafundësisht për të gjitha këto, sepse më ka injektuar me mënyrat e saj, gjërat më të rëndësishme që duhet të ketë një vajzë: vetëvlerësimin dhe vetëbesimin.
-Elemente pozitivë... Por...çfarë refuzoni të imitoni prej nënës suaj? Është fjala për gjërat që s’ju pëlqejnë tek ajo...
Nuk do doja t’i ngjaja në natyrën e saj përsëritëse kur më bën ndonjë vërejtje, përsëritja është diçka që më nervozon. Nganjëherë, më ndodh nganjëherë ta ndjej si një pasqyrë. Shikoj gjeste apo mimikë tek ajo, në momente të caktuara, të cilat ndjej që i kam të njëjta edhe unë, në situata të ngjashme. E kam fjalën për ato të shpeshtat situata të vogla femërore... të shantazhit afektiv, siç e quajnë psikologët, që pjesa jonë më e madhe i njeh mirë, të cilave unë prej kohësh u kam shpallur luftë. E rishoh veten si në një film tek ajo. Pastaj ndihem e lehtësuar që unë i kam larguar nga vetja. Por ka edhe një gjë tjetër që s’do ta bëja asnjëherë si ajo: nganjëherë, mënyrën se si pozon kur del në fotografi (qesh).
Gjithsesi, si përmbyllje mund të them se (buzëqesh) besoj që ia kam kaluar në të qenit vetvetja. Sakaq, njësoj si ajo jam e drejtpërdrejtë, nuk mbaj mëri apo inat, këmbëngul me të njëjtin vullnet. Mandej, ajo romantike, unë jo dhe aq, por që të dyja ëndërrimtare të pashërueshme. Momente të tilla ndajmë pafund së bashku. Ajo është një natyrë diellore, edhe këtu më duket se i ngjaj. Qeshim shumë bashkë, kemi njësoj ndjeshmëri të veçante për objektet e vogla, dhe kemi shpesh pika takimi në shijet tona.
Kaq shumë ngjashmëri ndikojnë në mbarëvajtjen e marrëdhënies... Apo, jo?
Nganjëherë nuk jemi dhe aq tolerante me njëra-tjetrën, dhe kjo bën që të krijohet ndonjë zënkë mes nesh.
A ndodh që ti drejtoheni nënës për t’i marrë një mendim, kur keni nevojë të merrni vendime?
Kur ajo është me humor të mirë, se ... (qesh) jo gjithmonë është kështu, biseda me të më jep kënaqësi pafund. Komunikojmë shpesh me njëra-tjetrën. Është personi që më jep kurajë si askush tjetër. Sigurisht që diskutojmë dhe vendosim së bashku për gjëra që na përkasin të dyjave, por në përgjithësi, për çështjet e mia të punës, preferoj të mos i flas shumë, përveçse momenteve të rëndësishme. Bisedën me të dua ta shijoj dhe jo ta rëndoj me probleme të vogla të përditshme, që me siguri të nesërmen do t’i kem harruar.
Gjithsesi nëse i përjashtoj problemet e punës, lidhja që kam me të është shumë e fortë. Aq sa kam frikë se është ende ombelikale. Ajo është njeriu që ndikon në humorin tim si askush tjetër. Kur nuk jam mirë me të, asgjë s’shkon mirë. Dhe pa e telefonuar, apo pa e takuar për të hedhur pas krahëve, përshembull, një zënkë që mund të ketë ndodhur mes nesh, e kam të pamundur të vazhdoj e qetë. Dhe kam kuptuar se është njësoj edhe për të.
-Cili është komunikimi mes jush, në momente të vështira të jetës suaj?
Në momente të vështira unë zakonisht preferoj të qëndroj vetëm, dhe mamaja ime është mësuar tashmë me këtë, por nëse duhet të flas me njeri, në përgjithësi është ajo. Sigurisht, varësisht problemit, mund të zgjedh një mike për t’iu rrëfyer. Por përgjithësisht i drejtohem sime mëje. Më toleron nëse nervozohem, duke më kuptuar shumë mirë se nga vjen ajo gjendje. Dhe si gjithmonë më jep kurajë forca, optimizmi dhe mbështetja e saj.
Gjithmonë në një moment të vështirë është gjithmonë njeriu që më kujton se ka zgjidhje, se gjërat nesër do ndryshojnë e do bëhen më mirë. Më ka mbështetur në të gjitha vendimet e rëndësishme të jetës sime, edhe atëherë kur ndonjë mama tjetër mund të kishte preferuar që e bija të përshtatej, të lejonte që jeta e saj të sakrifikohej për hir të opinionit. Mamaja ime s’e ka bërë kurrë këtë. Përkundrazi, me një mbështetje të padiskutueshme, ka qenë frymëzuese e lirisë sime në kërkim të lumturisë. Sepse edhe për të gjëja më e rëndësishme është qetësia dhe lumturia ime.
-Sa e përfshini në momentet tuaja të lumtura?
Në një moment të lumtur, është personi i parë në botë, tek i cili vrapoj për  t’i dhënë lajmin e mirë, pasi e di që ajo gëzohet njësoj si unë. Ato, pastaj, janë momente të magjishme.
-Çfarë mund të thoni për periudhën e ndërmjetme që ka të bëjë me KAPËRCIMIN nga vajza që ka nevojë për prindin te vajza e pavarur që e ndërton vetë jetën e saj. Në ç’moshë të jetës suaj ndodhi, sa zgjati, sa e vështirë apo e lehtë ishte?
Kjo pyetje më zgjon menjëherë kujtimet e periudhës së adoleshencës. Adoleshenca ime ka respektuar të gjitha rregullat që një familje e kujdesshme e asaj kohe, le ta quajmë kështu, vendos për fëmijën e vet. Gjithsesi, në çdo marrëdhënie prind-adoleshent ka probleme, mëse e natyrshme. Por në rastin tim këtë raport ndoshta e ka amortizuar gradualisht marrëdhënia ime e punës në televizion, (që 15 vjeç ka qenë angazhim i parë), duke më shkëputur pak nga pak nga shtëpia e duke më “detyruar” të kaloj më tepër kohë jashtë saj. Paradite në shkollë, pasdite kurse të gjuhëve të huaja, por gjithnjë e më shpesh me angazhimet televizive. Të qenit tashmë e njohur si dhe honoraret që merrja në atë kohë, më bënin të ndjehesha ndryshe nga moshatarët e mi, më e sigurt, më e pavarur.
Edhe pse mamaja ime mendonte asokohe se televizioni për mua duhej të mbetej një hobby, e ndjeja që ajo ishte krenare. Filloi të kuptonte që vajza e saj ishte rritur, po piqej. E demonstroi këtë gjë që në fillim, duke më dhënë besim e duke respektuar zgjedhjet e mia për t’u marrë me këto aktivitete të reja.
Pak më vonë, një moment i rëndësishëm që shënjon KAPËRCIMIN për të cilin ju pyesni, ka qenë dashuria ime e parë. Ndodhi në moshën 18-vjeçare dhe mamaja ime e mësoi shumë shpejt, (jo nga unë (qesh), sepse unë nuk ndihesha gati për ti treguar, për t’i folur për ndryshimet në jetën time). E ndieja të vështirë t’ia thosha ngase më dukej sikur do ta tradhtoja, do ta zhgënjeja. Nuk isha e bindur se sa do ta miratonte. Sigurisht nuk u entuziazmua, ndoshta për faktin që e mësoi në mënyrë indirekte. Ajo, nuk më pengonte të njihja një njeri, por gjithsesi ekzistonte një problem. Ai duhej të përkonte me njeriun që ime më kishte imagjinuar për vajzën e saj. Megjithatë, falë edhe palëkundshmërisë sime, u përpoq të më kuptonte dhe të respektonte ndjenjën time. Tashmë këto që them këtu, me siguri e bëjnë të qeshë ndonjë 18-vjeçare të e sotme, por atëherë ne i kemi pasur gjërat më të vështira. Komunikimi me mamanë time nuk i kishte kapërcyer tabutë e kohës.
Pas këtyre gurëve të rëndësishëm të kilometrazhit në jetën time, puna dhe marrëdhënia ime e parë e dashurisë, liria dhe pavarësia ime, në mënyrë të natyrshme, fituan gjithnjë e më tepër terren, derisa tani pas kaq vitesh, unë jetoj në shtëpi më vete.
-Kur e vogël ndodheshit para një gabimi, cili ishte reagimi i mamasë suaj. Ç’ndodh tani? Apo nuk gaboni më?
Ndodhte që ma falte lehtë, ndodhte që nxehej, situata jo dhe aq të këndshme atëherë, por kur i kujtoj tani ve buzën në gaz. Tani jo se s’gaboj më, por koha më e vogël në të cilën jemi bashkë tani, bën që edhe përballjet e kësaj natyre të jenë më të rralla. Ndonjë prej atyre gabimeve të fëmijërisë mund të jetë kthyer në ves, (qesh) dhe s’ke ç’i bën më fare. Por për të qenë më e saktë nuk i konsideroj më gabime, më tepër vendime apo zgjedhje jo të duhura, për të cilat nuk është më nevoja të ti verë njeri në dukje, sepse askush s’të shpëton nga pasojat e një gabimi.
Folëm për ngjashmëritë  karakteriale. Por le qëndrojmë tek pamja e jashtme. Thonë se i ngjani mamasë? E vërtetë? A është kjo një dhuratë e fatit? Apo ...  do të kishit dashur një pamje ndryshe?
Po, është e vërtetë që i ngjaj shumë asaj dhe më pëlqen ky fakt. E para, sepse ajo ka qenë dhe është një grua e bukur në çdo etapë të jetës së saj. Unë do doja shumë t’i përcillja vitet si ajo, në këtë aspekt. Gjithashtu, më pëlqen që i ngjaj, sepse kuptoj nga ana tjetër, që kjo atë e kënaq pa masë.
-Çdo të thotë të jesh fëmija e një gruaje të bukur?
Do të thotë ta dëgjosh shpesh fjalinë: “Çfarë mamaje të bukur ke pasur!”, dhe ju siguroj se është diçka që më ka pëlqyer sa herë e kam dëgjuar. Më ka bërë të ndjehem mirë, krenare, ndoshta edhe sepse në njëfarë mënyre, kur mamanë e ke të bukur dhe ti i ngjan asaj, ajo është si një projeksion i yti pas shumë vitesh. Tingëllon pak egoiste, por (qesh) edhe të tjerët këtë mendojnë kur na krahasojnë. Ama provon edhe një lloj trishtimi, ngase flitet për të shkuarën, kurse ti kupton që gjërat nuk mund të rrinë gjithmonë njësoj.
-Psikologët nuk e përjashtojnë rivalitetin nënë e bijë, pse jo rezultat i bukurisë të gjithsecilës që kërkon të tërheqë vëmendjen... (Madje rivaliteti sikur bëhet më i fortë kur gruaja ndjen rënien teksa vajza përkundrazi është në ngjitje).
Nuk ka ndodhur mes nesh. Ndoshta për arsyen se unë kam lindur vonë dhe rinitë tona nuk janë mbivendosur. Por, nga ana tjetër, e kam peng faktin që s’e kam parë mamanë time të re, si shumë moshatarë të mi, përveçse në foto. Kur unë kam lindur mamaja ime ka qenë 34 vjeç dhe unë kam jetuar vetëm dekadën e fundit të shkëlqimit të saj. Edhe pse ajo është një grua plot sharm edhe tani, por koha sigurisht që ndërhyn fort me koeficientet e saj.
-Cilat kanë qenë marrëdhëniet e mamasë suaj me bukurinë dhe si janë marrëdhëniet tuaja me bukurinë?
Unë besoj se të dyja e konsiderojmë të rëndësishme paraqitjen e mirë, bukurinë. Kam përshtypjen se ajo në moshën time duhet t’i ketë kushtuar më tepër kujdes, unë i përtoj nganjëherë. Më lodh pesha e të kujdesurit gjithmonë për pamjen e jashtme. Më duket sikur më kushtëzon jetën. Por nga ana tjetër jam e ndërgjegjshme për rëndësinë që ka bukuria. Fakt është që ime më, më tërheq herë pas here vëmendjen për neglizhencat e mia. Ti do pyesje, po ti, si reagon? Unë i them: “Po, po” dhe vazhdoj po njësoj. Është çështje tipi, nganjëherë.
-Thatë, me sipër që nuk jetoni në të njëjtën shtëpi... Nevojë e ndërsjellë për liri vetjake, për hapësirë? Apo, siç edhe më lehtë mund të përfytyrohet për mendësinë shqiptare, nevojë e vajzave të reja për liri vetjake?
Nevojë për liri, sepse njeriu mund të jetë plotësisht i lirë vetëm kur është vetëm me veten e tij. Por, e parë pak më ngushtë, në lidhje me bashkëjetesën me prindërit, ndarja me ta vjen si domosdoshmëri me kalimin e viteve. Vjen një moment kur ti ke vitet e përvojës mbi supe teksa prindërit në përgjithësi vazhdojnë mbeten të tillë (prindër, pra) që i konsiderojnë fëmijët ende fëmijë, duke e vështirësuar bashkëjetesën. Në të vërtetë unë jam ndjerë e lirë në zgjedhjet e mia, edhe kur jetoja me mamanë, por njëherë e mësuar me rregulla dhe rituale të tjera përditshmërie, të caktuara sipas mënyrës time, pas një bashkëjetese në çift disavjeçare, e shoh të vështirë kthimin tek mënyrat e vjetra, pothuaj të harruara. Nuk është aspak i natyrshëm rikthimi.
-Ndodh shpesh që vajzat e kanë kaq të vështirë t’ua shprehin dashurinë nënave të tyre... (Më vjen ndërmend protagonistja e një romani të Alba de Cespedes, e cila ndiente nevojën t’i shprehte dashurinë së ëmës. Nisej për tek ajo, rrugës blinte lule, dhe... kur ndodhej në shtëpinë e së ëmës, ia jepte lulet duke i thënë: “ishte një fëmijë i vogël që i shiste, me erdhi keq dhe i bleva...”. Dhe kaq.)
Në fakt është e vërtetë. Është shumë e vështirë t’ia thuash mamasë se çfarë ndjen për të. Ndërkohë që ato, anasjelltas, e bëjnë këtë mrekullisht mirë. Nuk e di pse ndodh kjo. Të duket sikur e formalizon, i prish vërtetësinë e asaj që ke në shpirt, po ta thuash me zë të lartë, apo ta shprehesh me gjeste. Mendon se ajo, që të njeh aq mirë, duhet ta dijë me siguri se sa e shtrenjtë është për ty. Sepse gjithmonë, sado të shprehësh, do të jetë shumë më pak se sa ajo që ti ke brenda për nënën tënde. Unë mundohem ta bëj, por është vërtet shumë pak. Në fakt nuk di se si do reagojë ime më, kur të lexojë këtë intervistë. Por meqë s’e kam përballë po i them se është  gjëja më e shtrenjtë për mua, se jetoj me merakun e ditëve që ikin, se i jam mirënjohëse për gjithçka dhe se dua ta shoh vetëm të gëzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›