“Transplantet”, Katuçi gjen Del Ponten në Argjentinë
BURREL/ HASAN PASHA
Kryefamiljari i “shtëpisë së transplanteve” letër ish-kryepro-kurores së Hagës për falje publike. Abdulla Katuçi, nga Gurra e Matit, ka mundur të gjejë adresën e Karla Del Pontes, aktualisht ambasadore në Argjentinë, për t’i kërkuar vendosjen e nderit të familjes së tij në vend. Ai thotë se është përpjekur prej 4 vitesh të mësojë cilat qenë shkaqet e kontrollit të ushtruar në banesën e tij nga hetuesit e Gjykatës së Hagës dhe pse Del Ponte ka akuzuar familjen e tij për trafik të organeve njerëzore. I ka shkruar disa letra Presidentit Bamir Topi, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ish prokurorit Sollaku dhe prokurores aktuale Ina Rama. Ndërkohë plaku 74-vjeçar nga Gurra e Matit ka vendosur t’i drejtohet me një letër autores së akuzave publike. I ndihmuar nga njerëzit e tij të afërm, ai ka gjetur adresën e plotë të Del Pontes, duke i dërguar letrën në gjuhën shqipe dhe angleze. Një kopje e saj i është adresuar për dijeni dhe Ministres së Jashtme të Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy. “E nderuar znj. Ambasadore Del Ponte. Unë jam Abdulla Katuçi, një qytetar i thjeshtë shqiptar, nga krahina e Matit, në veri të Shqipërisë. Askush nuk më njeh në vendin tim, përveç miqve e të njohurve të shumtë në krahinën ku jetoj. Por unë jam i sigurt se emri im është i njohur edhe për Ju që nuk e keni vizituar kurrë rajonin ku banoj. Para 4 vjetësh Ju në cilësinë e Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Penale të OKB-së për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, keni nisur një hetim zyrtar në lidhje me një trafik të pretenduar organesh të ushtrisë serbe në vitin 1999, në tokën shqiptare dhe pikërisht në fshatin Gurrë ku unë banoj. Hetimi juaj ka përfshirë direkt familjen time, e cila është kontrolluar nga hetuesit tuaj në shkurt të vitit 2004, në lidhje me akuzat e mësipërme. Do të kishte qenë gjithçka normale dhe brenda mandatit të institucionit që Ju keni drejtuar, që ky hetim të zhvillohej në rrugë normale dhe pa insinuatat, akuzat dhe zhurmën mediatike. Prej katër vjetësh me shqetësim, unë dhe familja ime kemi ndjekur jehonën e kësaj fushate, megjithëse, siç e dini edhe ju vetë, pa u siguruar asnjë provë, element apo dëshmi të gjetur në shtëpinë, fshatin apo krahinën e lidhur me trafikun e pretenduar të organeve të ushtarëve serbë”, thekson Katuçi, në letrën e përpiluar me ndihmën e familjarëve të tij. Duke theksuar se ndaj familjes së tij nisën hetime për një krim çnjerëzor, pa pasur prova, i moshuari kërkon nga Del Ponte dhe bashkëpunëtorët e saj, në atë kohë, t’i kërkojnë ndjesë publikes familjes së tij, fshatit ku jeton dhe shqiptarëve në përgjithësi. “Sado i lartë të ketë qenë misioni Juaj për të ndëshkuar krimet në një pjesë të botës, besoj se tani mund ta pranoni që keni bërë gabim të rëndë, kur më keni akuzuar mua dhe bashkëfshatarët e mi për diçka që nuk e kemi për traditë”.