KLD-ja cakton drejtues të ri për Shkollën e Magjistraturës
Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi dje në unanimitet drejtoreshën e re të Shollës së Magjistraturës. Anëtarët e KLD-së ia besuan këtë post gjatë mbledhjes së djeshme Marjana Selimit. Burime pranë këtij këshilli pohuan se në garë ishin dhe kandidatë të tjerë, por pasi u vërejtën eksperienca dhe CV-ja e gjithsecilit, u vendos për të përzgjedhur Selimin. Drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës emërohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozimin e Këshillit Drejtues, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar profesionin e juristit jo më pak se 15 vjet. Emërimi bëhet për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë riemërimi edhe vetëm për një mandat tjetër 4-vjeçar. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi, paaftësi mendore a fizike, për akte sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij, ose për pamjaftueshmëri profesionale. Paga e drejtorit të Shkollës është e barabartë me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi nëpërmjet shortit me gogla tetë gjyqtarët që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor. Kolegji është një strukturë e rëndësishme për shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009. Nga shorti u zgjodhën si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarët: Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Nga përzgjedhja e parë më short u kontestuan 3 emra. Stavri Kallço, Bashkim Dedja dhe Zegjine Sollaku nuk morën aprovimin nga partitë. Përzgjedhja e dytë me short zgjodhi 3 emra të rinj në vend të kandidatëve të kontestuar. Entela Prifti, Tom Nderca dhe Petraq Koço u përzgjodhën në vendet e 3 të kontestuarve.
12 Qershor 2009