Ministria e Brendshme: Ka gabime te listat, por nuk është faji ynë
Ministria e Brendshme ka reaguar pas deklaratave të Partisë Socialiste, e cila shprehte shqetësimin për faktin se mbi 17 mijë persona mbi moshën 90 vjeç figurojnë në listën e zgjedhësve. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, tha se në radhë të parë është i paarsyeshëm pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç. Gjithsesi, Konja sqaroi se është e vërtetë që në këto lista ka gabime, por ai tha se kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë, por e faktit që shumë shtetas që kanë vdekur, nuk deklarohen të tillë nga familjarët e tyre. “Lista përfundimtare e zgjedhësve është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore. Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç, por për sa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet t’i fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve. Duket krejt i paarsyeshëm pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç”, - tha Konja. Ai sqaroi gjithashtu se Ministria e Brendshme, në datën 15 qershor, kur do të mbyllet procesi i aplikimeve, do t’u dërgojë listën e personave që kanë aplikuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjitha forcave politike të interesuara.
12 Qershor 2009