E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, partive: “Keni harruar reformën në Drejtësi”

Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kujtoi dje Kolegjit Zgjedhor përgjegjësinë që ka. Kreu i shtetit u bëri apel qytetarëve për t’u pajisur me karta identiteti

Laureta Rryçi

Tiranë - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shfrytëzuar mbledhjen e KLD-së për të dhënë mesazhet e tij për zgjedhjet. Kreu i shtetit në deklaratën e djeshme ritheksoi se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë test për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit. Topi ka kritikuar subjektet politike se nuk kanë përfshirë në programet elektorale reformën në Drejtësi. Më pas kreu i shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë dhe të aplikojnë për kartat duke e cilësuar këtë veprim si shumë të rëndësishëm për zgjedhje me standarde europiane. Sakaq, Topi i rikujtoi Kolegjit Zgjedhor përgjegjësinë që ka për shqyrtimin e të gjitha ankesave të subjekteve politike që do të garojnë në këto zgjedhje. Në fjalimin e tij, kreu i KLD-së hodhi poshtë të gjitha ato akuza politike në lidhje me varësinë politike të Këshillit që ai drejton. Sipas tij, KLD-ja jo vetëm në aparencë, por edhe në subjekt, është një institucion i pavarur.
Deklarata
Presidenti Topi bëri të qartë se vëmendja e të gjithëve është në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe ripërsëriti apelin që qytetarët të pajisen me karta identiteti. “Dua të ripërsëris atë që kam thënë shpesh, që pjesëmarrja në votimet e 28 qershorit është shumë e rëndësishme. Është një tregues i rëndësishëm i demokracisë, i treguesit të çdo qytetari për të vendosur piketat e së ardhmes. Unë u ribëj thirrje qytetarëve, tani, shumë pranë zgjedhjeve, që ata që nuk kanë aplikuar të aplikojnë me shpejtësi”. Presidenti Topi tha se kishte vënë re se ditët e fundit ishte rritur predispozicioni i qytetarëve për të aplikuar. “Uroj që periudha që ka mbetur të ketë një shtim të fluksit qoftë të atyre që s’kanë aplikuar, qoftë të atyre që kanë aplikuar dhe nuk kanë tërhequr kartat, për të bërë të mundur që më 28 qershor të gjithë të jenë të pajisur me dokument. Të gjithë të tregojnë që zëri i tyre është i vlefshëm për fatin e demokracisë në Shqipëri.”
Partitë
Kryetari i shtetit vuri në dukje se partitë në fushatën e tyre elektorale ende nuk janë prononcuar për reformat në sistemin e Drejtësisë. “Nuk dua të ndërhyj në fushatën e tyre, por partitë duhet të shprehen për këtë reformë jetike. Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, kush do të jetë fituesi apo humbësi, partitë duhet të shprehen edhe për buxhetimin e sistemit të Drejtësisë”.
Më tej, presidenti Topi, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, vuri në dukje rolin e Kolegjit Zgjedhor, i vetmi organ që do të shqyrtojë ankesat e partive politike për zgjedhjet. Kryetari i KLD-së u kujtoi gjyqtarëve se përgjegjësia e tyre si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor është maksimale pasi kanë të bëjnë me mbrojtjen e votës. “Kemi pritshmëri të lartë ndaj Kolegjit Zgjedhor. Anëtarët e Kolegjit, gjatë shqyrtimit të ankesave, duhet t’i përmbahen Kushtetutës dhe ligjit. Ata duhen të jenë korrektë në marrjen e vendimeve. Përgjegjësia e Kolegjit është maksimale”,- theksoi presidenti Topi.

Box
Presidenti Topi deklaroi për...

Partitë
“... Unë nuk mund të jem personi, pa asnjë lloj cilësie, që të orientoj partitë politike të realizojnë performancën e tyre elektorale, por me cilësinë e këtij pozicioni mjaft të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e sistemit të Drejtësisë, me vendosjen e parametrave të standardeve europiane të shtetit të së drejtës, i ftoj që të prononcohen për vazhdimin e reformave në fushën e Drejtësisë”.

Kolegjin Zgjedhor
“... Ajo që kërkohet maksimalisht është pozicioni i tyre korrekt, përkushtimi i tyre i lartë dhe për interesat e rëndësishme që ka një gjyqtar, Kushtetuta dhe ligji”.

KLD-në
“... Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndonëse është një institucion kushtetues, i cili në aparencë, por edhe në substancë u qëndron larg interferencave të çfarëdolloj natyre për zgjedhjet politike në Shqipëri, pa dyshim për një funksion kushtetues të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe sistemi i Drejtësisë japin prova për zgjedhje të lira e demokratike”.

Qytetarët
“... Unë u bëj thirrje qytetarëve. Është kjo një thirrje e ripërsëritur dhe besoj që është një thirrje që vjen shumë pranë datës së zgjedhjeve, që ata që nuk kanë aplikuar, duhet të aplikojnë me shpejtësi!”

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›