E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja “liron” 14 kryetarë gjykatash

Kufizimi i mandatit i ka larguar nga posti që kishin prej disa vitesh. Largohet nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Vasil Hanxhari
Laureta Rryçi

Tiranë - KLD-ja shkarkoi nga detyra 14 kryetarë gjykatash dhe e gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Vlorë, Vasil Hanxhari. Kufizimi i mandatit ka larguar nga posti që kishin prej disa vitesh pjesën më të madhe të drejtuesve të gjykatave në vend. Burime zyrtare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpjeguan dje në mbledhjen e radhës se u mor vendimi që kryetarët të kenë mandat të kufizuar vetëm në 4 vjet. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe presidenti në cilësinë e kryetarit të Këshillit. Kreu i KLD-së, Bamir Topi, e cilësoi si shumë të rëndësishme këtë nismë në vazhdën e reformës në Drejtësi. “Do të veçoja nga e gjithë struktura e rendit të ditës pikën e parë, që ka të bëjë me një diskutim mbi materialin e përgatitur nga grupi i punës lidhur me përcaktimin, me kufizimin e mandatit të kryetarëve dhe zv/kryetarëve të Gjykatave të Rrethit Gjyqësor dhe të Apeleve”. Me këto fjalë e nisi dje fjalën e tij presidenti Topi. Ndërkaq, në rend të ditës u përfshinë për diskutim edhe masat disiplinore për dy gjyqtarët e Apelit të Vlorës.
Presidenti
“Është një moment shumë i rëndësishëm në filozofinë e re dhe në strategjinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila sot konsiderohet me një frymë të re në këtë sens, duke i dhënë mundësi që edhe në sistemin gjyqësor, pozicionet e kryetarëve dhe të zv/kryetarëve të gjykatave të dalin nga ajo situatë, e cila, për hir të së vërtetës, në mjaft raste ka krijuar kushte për klientelizëm, nepotizëm”, - tha kryetari i Këshillit, duke akuzuar kryetarët aktualë. Topi e ka shpjeguar këtë nismë si mjaft normale për mbarëvajtjen e procesit për reformim të Drejtësisë. Sipas tij, ajo që ndodh në çdo fushë të jetës, ku ndihet nevoja e qarkullimit, ndihet nevoja e ridinamizimit të këtyre pozicioneve, ndihet nevoja e konkurrencës, e cila është jetike në demokraci, pikërisht për këtë arsye, po ndërmerret ky veprim.
Ikin kryetarët
Prej vitesh ata drejtonin gjykatat në të gjithë vendin. Dje, falë vendimit të KLD-së, 14 prej tyre humbën postin që kishin. Tani e tutje, çdokush që do të zgjidhet kryetar do të jetë me mandat të kufizuar. Këtë fat nuk e kanë pasur vetëm kryetarët e gjykatave të qyteteve të vogla, por edhe atyre më kryesore, dukë përfshirë dhe Durrësin e Tiranën. Ky ishte një nga këto ndryshime, që u vendos në mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku u përcaktua që periudha e qëndrimit në detyrë të drejtuesve të gjykatës të kufizohet në afat kohor, duke u përcaktuar mandati prej 4 vjetësh në funksionin drejtues të gjyqtarit, si kryetar apo zëvendëskryetar i gjykatës. Gjithashtu, po në këtë vendim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë konkludoi që për kryetarët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, të cilët tashmë kanë mbushur 4 vjet në ushtrimin e funksionit drejtues, mandati i ushtrimit të këtij funksioni, në zbatim të këtij ndryshimi dhe kësaj situate të re të përfundimit të qëndrimit në funksionin drejtues, do të konsiderohet i mbaruar.

U konstatua mbarimi i mandatit të 14 kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe atyre të Apelit

1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, kryetare e së cilës është zonja Fatime Velçani
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, kryetar i së cilës është zoti Kastriot Selita
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, kryetar i së cilës është zoti Artan Laze
4. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, kryetar i së cilës është zoti Durim Kadiu
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, kryetare e së cilës është zonja Ardiana Bera
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, kryetar i së cilës është zoti Granit Qypi
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, kryetar i së cilës është zoti Gramoz Levanaj
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, kryetar i së cilës është zoti Jak Ndoka
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, kryetar i së cilës është zoti Ali Koleci
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, kryetar i së cilës është zoti Liradin Lila
11. Gjykata e Apelit Gjirokastër, kryetar i së cilës është zoti Tomor Skreli
12. Gjykata e Apelit Korçë, kryetar i së cilës është zoti Stavri Kallço
13. Gjykata e Apelit Ushtarak, kryetar i së cilës është zoti Musa Halili
14. Gjykata e Apelit për krime të rënda, kryetar i së cilës është zoti Vangjel Kallço

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›