Rritja e çmimeve, pensionistët që përfitojnë kompensim
Qeveria përcakton kategoritë dhe masën në lekë që përfiton mosha e tretë. Kompensimi do të jetë 760 lekë për qytetin dhe 690 lekë për fshatin
Erald Kapri
Rritja e çmimeve vjen si rezultat i spekulimeve apo lëvizjeve të tregut, por shtesat më të varfra si pensionistët kanë të drejtë ligjore të kompensohen për rritjen e produkteve bazë të jetesës. Qeveria ka përcaktuar, me një vendim të saj, kategoritë e pensionistëve që mund të përfitojnë shtesa në pensionet e tyre si rezultat i rritjes së kostos së jetës. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar edhe masën që përfitohet në kushte të tilla. Pensionistët, në këto momente, kur disa produkte bazë kanë njohur çmime të larta, ndodhen në kushtet më të vështira, çka u lejon që të kërkojnë kompensimin që ua njeh ligji. Udhëzimi që zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bën shpërndarjen e kompensimit mbi pensionin bazë, njëkohësisht edhe mbi rritjen që pensionet mund të kenë.
Përfituesit
Akti i qeverisë ka përcaktuar edhe kategoritë që mund të përfitojnë kompensim financiar. Pensionistëve, atyre që përfitojnë pensione qyteti, pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes, nuk u preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Sipas Udhëzimit, kompensimi do të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensioni mund të jetë rritur kohët e fundit. Njëkohësisht po t’i referohemi pikës numër tetë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për të gjithë pensionistët e fshatit që përfitojnë pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare, nuk preken kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimi i qeverisë që përcakton të ardhura nga kompensimi.
Pensionistët e qytetit
Sipas vendimit të qeverisë, është përcaktuar se pensionet e reja të qytetit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 10 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 10 410 lekë, atëherë nuk ke të drejtë për të kërkuar kompensim financiar.
Pensionistët e fshatit
Pensionet e reja të fshatit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e qeverisë të vitit 2007, që përcakton kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të fshatit, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 5 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 5 410 lekë, atëherë nuk ke të drejtë për të kërkuar kompensim financiar.
Masa e kompensimit
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se në shumën e të ardhurave mujore të pensionistit do të vazhdojnë të përfshihen: masa mujore e pensionit të bërë me rritjen e korrikut të 2007-s, kompensimi i energjisë elektrike në masën 350 lekë si dhe kompensimi i bukës në masën 150 lekë, që rrjedh nga vendimi i qeverisë. Ndërkaq, qeveria ka përcaktuar se në shumën e të ardhurave mujore, përveç kompensimeve si më sipër, do të vazhdojë të përfshihet dhe kompensimi i përfituar nga vendimi i vitit 2006. Në të ardhurat mujore të pensionistëve si për pensionet e pleqërisë, edhe për pensionet e invaliditetit dhe ato familjare, nuk përfshihet kompensimi shtesë mbi masën 350 lekë në muaj, i përcaktuar në vitin 1994 nga qeveria, që merret nga pensionistë të veçantë për arsye se janë të vetëm, me fëmijë në ngarkim apo kryefamiljarë pa të ardhura të tjera si dhe nuk do të përfshihet kompensimi për personat në ngarkim të pensionistit. Njëkohësisht nuk do të llogariten për efekt të të ardhurave mujore edhe kompensimi shtesë në masën 500 lekë në muaj për rimbursimin e energjisë elektrike. Në llogaritjen e të ardhurave mujore nuk do të llogariten as shtesat mbi pension të parashikuara në ligj, si dhe shtesat e tjera që përfitohen nga ligje apo vendime të veçanta të qeverisë. Kompensimet e mësipërme do të zbriten nga pensioni kur ai llogaritet për të përfituar kompensim shtesë dhe në rast se të ardhurat në fshat janë më pak se 5 410 lekë dhe në qytet më pak se 10 410 lekë, atëherë do të përfitohet kompensim shtesë.
Skema e kompensimit
Qyteti
Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë.
Fshati
Të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë.
Kompensimet që nuk do të llogariten
Kompensimi shtesë mbi masën 350 lekë në muaj që merret nga pensionistë të veçantë për arsye se janë të vetëm, me fëmijë në ngarkim apo kryefamiljarë pa të ardhura të tjera
Kompensimi për personat në ngarkim të pensionistit
Kompensimi shtesë në masën 500 lekë në muaj për energjinë
Shtesat mbi pension sipas ligjit të vitit 1993
Shtesat e tjera që përfitohen nga ligje apo vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave
Kompensimet që do të llogariten
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se në shumën e të ardhurave mujore të pensionistit do të vazhdojnë të përfshihen, masa mujore e pensionit të bërë me rritjen e korrikut të 2007, kompensimi i energjisë elektrike në masën 350 lekë si dhe kompensimi i bukës në masën 150 lekë që rrjedh nga vendimi i qeverisë.
9 Shkurt 2008