PR: Reforma në Drejtësi të përfshijë të gjitha hallkat e sistemit
Partia Republikane ka përshëndetur konsensusin dhe bashkëpunimin midis opozitës dhe maxhorancës për realizimin e reformës në Drejtësi. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, tha se realizimi i plotë i reformës kërkon përmirësim të kuadrit ligjor në gjithë hallkat e sistemit të Drejtësisë. “Kjo reformë duhet të përfshijë më tej edhe përmirësimin apo hartimin e ligjeve të tjerë po kaq të domosdoshëm, si Ligjin mbi funksionimin e Gjykatës së Lartë, Ligjin për Shkollën e Magjistraturës, Ligjin e Procedurës Penale mbi bazën e të cilit operojnë strukturat e Gjyqësorit. Gjithashtu reforma duhet të konsistojë edhe në përmirësimin e Ligjit mbi Prokurorinë e Shtetit, që megjithëse nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, ka ndikim të drejtpërdrejt në funksionimin e tij”, - tha Garuli, i cili shprehu vullnetin e PR-së për të kontribuar deri në fund në realizimin e reformës në Drejtësi.
9 Shkurt 2008