E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtimi i bukës, Ministria e Bujqësisë vendos rregulla të reja

Rregullore për tregtimin e bukës vetëm në njësitë që janë të përcaktuara për këtë produkt
Ervin Koçi

Tregtimi i bukës që tani e tutje do të bëhet vetëm në njësitë e posaçme që do të caktohen për tregtimin e këtij malli të shportës. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, përmes një rregulloreje të publikuar dje, ka marrë masa për ndalimin e tregtimit të bukës në njësitë tregtare që nuk janë të destinuara vetëm për shitjen e këtij produkti. Sipas MBUMK-së, janë rreth 80 për qind e njësive tregtare ushqimore, në të gjithë vendin, që shesin artikullin bukë në dyqanet e tyre, ndërkohë që janë të destinuara për tregti mix të ushqimeve, fruta-perimeve apo dhe bulmetit. Sipas specialistëve të bujqësisë, kjo masë merr vlera akoma më të rrepta aktualisht për vetë faktin e abuzimit që po ndjen tregu dhe konsumatori në rritjen artificiale të çmimit të bukës në vend nga tregtarët e vegjël. Zbatimi i kësaj rregulloreje ndërmerret dhe në kuadrin e forcimit të kontrollit higjieno-sanitar të tregtimit të ushqimeve në vend.

Pretendimet e tregtarëve

Përfaqësues nga Shoqata Kombëtare e Prodhuesve të Bukës, Sindikata e Ushqimit dhe Agrokulturës dhe të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, gjatë një takimi dje me drejtues dhe ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë, diskutuan lidhur me rrugët dhe mundësitë e bashkëpunimit për të eliminuar faktorët informalë që ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës në vend. Hysen Cakra, sekretar i Përgjithshëm i SHKPB-së, shprehu shqetwsimin për rritjen e çmimit të bukës nga prodhuesit apo tregtarët, të cilët në qytete të ndryshme vendosin çmime të ndryshme me tendencë rritjeje në një kohë kur kostoja e grurit në tregjet ndërkombëtare nuk ka pësuar rritje të madhe. Ata kërkuan për verifikimin e kësaj çështjeje mbështetjen e institucioneve përkatëse për të eliminuar këtë treg informal. Duke filluar që nga 1 shkurti i këtij viti, çmimi i 1 kg buke është rritur nga 80 lekw/kg në 100 lekw/kg.

Transaksioni i drithrave

Ministria e Bujqësisë, në kuadrin e masave që po ndërmerr për uljen e informalitetit në tregtimin e bukës në vend dhe rritjes artificiale të çmimit të saj, parashikon që në bashkëpunim dhe me institucionet financiare të vendosë që të gjitha transaksionet për shit-blerjen e grurit apo dhe miellit të kryhen përmes sistemit bankar. MBUMK-ja ka bërë të ditur se rritja e çmimit të shitjes së bukës në vend nuk është e mbështetur në faktorë objektivë. Sipas saj, lënda e parë për këtë industri vjen nga importi, ku çmimi i grurit prej 4 muajsh ruan të njëjtat vlera. Kështu, sipas të dhënave zyrtare, gruri nga Argjentina zhdoganohet me 320 USD /ton, nga Rusia 315 USD/ton dhe nga BE-ja me rreth 285 USD/ton, çka tregon se nuk ka bazë objektive për një rritje të ndjeshme të çmimit të bukës në vend. Megjithatë, përballë kësaj situate, Ministria e Bujqësisë po bashkëpunon me institucionet e linjës për shmagien e faktorëve informalë që favorizojnë këtë rritje të çmimit të bukës në vend.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›