PS: Të nisin hetimet për korrupsionin në Hipoteka
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, ka denoncuar abuzime financiare dhe shkeljet flagrante të ligjit që ndodhin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës (Hipoteka). Në një konferencë për shtyp, Manjani ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë praktikat abuzive që ndodh në këtë institucion, i cili gjithnjë e më shumë po i privon shqiptarët nga e drejta kushtetuese e pronës. “Jam sot këtu me ju për të konstatuar se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës, është shndërruar në shkelësen më të madhe të së drejtës kushtetuese të shtetasve për të disponuar pronat e tyre. Sot më shumë sesa asnjëherë tjetër shqiptarët që kanë një pasuri të paluajtshme të regjistruar, ndjehen të përdhosur dhe të cenuar nga sportelet e ZRPP-së, të cilat nuk i shërbejnë qytetarëve, por vetëm shtetarëve sekserë”, - tha Manjani. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS denoncoi gjithashtu edhe zvarritjen që pësojnë shqiptarët në zyrat e Hipotekës, për njohjen e pronës së tyre. Manjani kërkoi nga kryeministri Berisha dhe qeveria që të ndërhyjë në Hipoteka, për të evituar abuzimet dhe praktikat korruptive në to.
9 Shkurt 2008