E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti, kryepolici i rrugorëve pezullohet

13/01/2009  Përplasi një makinë në afërsi të “Rozafës” në unazë dhe u largua pa qëndruar

Vendimi u mor nga komisioni i disiplinës në policinë e Tiranës, Shuli në vend të tij

TIRANE- Krenar Ahmeti, Drejtori i Qarkullimit Rrugor pranë policisë së Tiranës është pezulluar nga detyra, fill pas një aksidenti që ka kryer ditën e shtunë me një nga makinat Gardës së Republikës së Shqipërisë. Aksidenti që shkaktoi vetëm dëme materiale në dy makinat, ka ndodhur afër ruletës “Rozafa” që ndodhet në unazën e kryeqytetit. Urdhri për pezullimin nga detyra të Kryeinspektorit Krenar Ahmeti është dhëna nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku specialistët e kësaj të fundit pas një analize dy ditore, kanë konstatuar se Ahmeti ka kryer shkelje të rënda disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Ky ka qenë shkaku kryesor i pezullimit, pasi vetë shefi i qarkullimit, i cili pretendonte të vendoste rregull në rrugët e kryeqytetit, ka përplasur një makinë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Mësohet se kjo ngjarje nuk mund të mbyllet me kaq, pasi për zbardhjen e shkaqeve të plota, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka ngritur një grup pune, i cili do të kryejë edhe hetimin e ngjarjes. Ndërkohë që nga verifikimet e deri tanishme të kryera nga punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, dyshohet se gjatë aksidentit, shefi i qarkullimit rrugor ishte në gjendje të dehur. Mësohet se aktualisht në vendin e Krenar Ahmetit është komanduar Nazmi Shuli. Ky i fundit vjen nga radhët e efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kryente funksionin si shef Rendi pranë këtij institucioni. Kjo është hera e dytë që Ahmeti pezullohet nga detyra e tij si shef i Qarkullimit Rrugorë të Tiranës, arsyeja ka qenë gjithmonë e njëjta, shkelja e disiplinës në punë.

Kallëzimi

Menjëherë pas konstatimit të makinës së goditur, oficerët e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk ishin të pranishëm gjatë aksidentit, kanë mbledhur informacione nga dëshmitarët okularë mbi të dhënat e automjetit që kishte përplasur makinën e tyre. Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se automjeti që kishte goditur makinën e Gardës, i përkiste shefit të Qarkullimit Rrugor Krenar Ahmetit. Nisur nga ky konstatim drejtuesit e Gardës i janë drejtuar policisë së Tiranës, ku rreth mesditës të së shtunës kanë kryer një kallëzim penal ndaj 35-vjeçarit Ahmeti. Në kallëzim thuhet se ky i fundit pasi ka shkaktuar përplasjen e makinës, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, veprim ky që thyhen të gjitha normat e disiplinës të një punonjësi policie. Për rreth dy ditësh kallëzimi i bërë nga Garda e Republikës është analizuar nga anëtarët e Komisionit të Disiplinës, të cilët në unanimitet kanë vendosur se me veprimet dhe mosveprimet, Krenar Ahmeti ka kryer shkelje të rënda disiplinore. Mësohet se shkeljet e konstatuara i janë dërguar drejtorit të policisë së qarkut Tiranë, i cili pasi është njohur me to, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Kryepolicit Krenar Ahmeti.

Gjyqet me Prokurorinë e djegia e makinës

TIRANË- Më 26 qershor të këtij viti Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin për pezullimin e kreut të Qarkullimit Rrugor të Tiranës. Kështu, Krenar Ahmeti, fitoi të drejtën për t’u rikthyer në punë. Një nga provat që ka bindur Gjykatën e Apelit për të rikthyer në punë Krenar Ahmetin është raporti i shërbimit. Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se ndaj Ahmetit janë bërë denoncime nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri dhe H. Neza, ish-punonjës policie nga Durrësi. Dy javë para se të ndërroheshin vitet, makina e Krenar Ahmetit u përfshi nga flakët. Grupi hetimor që shkoi menjëherë në afërsi lagjes “Mihal Grameno”, pranë shkollës “Osman Myderyzi”, ku banonte Ahmeti, konstatoi se mjeti i tij tip “Wolsvagen Pasat” ishte djegur me qëllim, pasi asnjë shenjë nuk tregonte për defekte paraprake teknike të makinës, teksa po shihet mundësia e gjetjes së autorëve. Mjeti me të cilën Ahmeti kryente detyrën e përditshme nuk është djegur plotësisht, pasi ndërhynë menjëherë disa kalimtarë të rastit, të cilët mundësuan shuarjen e flakëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›