KLD-ja vendos të ndryshojë rregulloren për procedimin e gjyqtarëve
Laureta Rryçi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje të ndryshojë rregulloren për procedimet disiplinore të gjyqtarëve. Fillimisht propozimet për ndryshimet përkatëse i janë lënë si përgjegjësi për t’i bërë një grupi pune prej tre personash, të cilët janë dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të njëjtët persona kanë si detyrë tjetër të hartojnë paketën e ndryshimeve të mundshme në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë grup pune do të jenë Artan Gjermeni, Edmond Islamaj dhe Neshat Fana. Në lidhje me Inspektoratin është diskutuar herë pas here për kompetencat e tij. Kjo gjë është bërë edhe me Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka kërkuar në jo pak raste që të përcaktoheshin qartë se deri ku shkojnë kompetencat e njërit apo tjetrit inspektorat, me qëllim që të mos kishte përplasje gjatë inspektimeve. Burime zyrtare nga Këshilli shpjeguan se ka pasur diskutime të shumta për faktin se ku ndahet puna e inspektorëve të KLD-së dhe ku ajo e Ministrisë, pasi të gjithë inspektorët hetonin probleme të ngritura nga populli për gjyqtarët dhe më pas raporti shkonte në dy drejtime. Një raport në Ministrinë e Drejtësisë dhe një tjetër në KLD. Pas kësaj faze secili shfaqte qëndrimet e veta, që, ndonëse për të njëjtin problem, ishin të kundërta.
Procedimet
Për procedimin disiplinor të gjyqtarëve është parë e udhës të bëhen disa ndryshime. Kjo për faktin se pothuajse të gjitha procedimet e KLD-së nuk kanë gjetur mbështetje nga Gjykata e Lartë. Pasi janë larguar nga KLD-ja, gjyqtarët janë rikthyer në punë nga shkalla më e lartë e Gjyqësorit. KLD-ja vendosi të plotësojë vendet e mbetura bosh në disa gjykata, pas largimeve të fundit që u bënë nga gjyqtarët për në shkallët më të larta të Gjyqësorit. Pesë vende vakante janë caktuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa edhe gjykata të tjera kanë sërish mungesa. Ka disa gjykata, të cilat kanë mbetur pa kryetar. Deri në plotësimin e vendeve për kryetar, KLD-ja ka bërë disa komandime me qëllim që puna të ecë normalisht.
Vendet bosh
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zhvilluar në ambientet e këtij institucioni, pati si objekt edhe shpalljen e tetë vendeve vakante në shtatë gjykata për magjistratët që kanë përfunduar studimet në vitin 2008-2009 dhe janë në pritje. Po kështu bëri konstatimin e përfundimit të mandatit si anëtare Altina Xhoxhaj pas kalimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, si dhe komandimin e disa gjyqtarëve në disa rrethe gjyqësore të mbetura bosh. Para anëtarëve të KLD-së u bë zhvillimi i ceremonisë publike të betimit të gjyqtarit Genti Shala, i emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, me dekret të Presidentit të Republikës, datë 19.05.2010. Përsa i përket listës me vendet vakante për magjistratët, ajo do t’i dërgohet Shkollës së Magjistraturës, me qëllim që secili prej kandidatëve të shprehë preferencën e tij.
Vendet vakante për magjistratët
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec 1 vend vakant
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet 2 vende vakante
Gjykatat pa kryetar
Gjykata e Apelit Vlorë;
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës;
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë;
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër.
Vendet vakante për gjyqtarë
- 5 (pesë) vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
- 1 (një) vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin;
- 1 (një) vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier;
- 1 (një) vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;
- 1 (një) vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
3 Qershor 2010