E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të dëgjojë mesazhet e ndërkombëtarëve për transparencën”



Eneida Jaçaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke këmbëngulur sërish në transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, i bëri thirrje dje kryeministrit Sali Berisha që t’i hapë rrugë hetimit. Rama nënvizoi se kreu i Ekzekutivit duhet të pranojë transparencën duke u hapur rrugën proceseve integruese të vendit. Ndër të tjera, kryesocialisti ka reaguar edhe për votimin e hapur që Berisha i ka imponuar Kuvendit për gjykatësit e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Lideri i opozitës, nga ana e tij, i ka bërë të qartë kryeministrit se duhet ta harrojë se mund ta realizojë projektin e mbretërisë së pashpallur me votime të hapura për gjykatësit në Kuvend e me kuti të mbyllura për popullin që kërkon transparencë.
Deklarata
Lideri i opozitës i ka kujtuar kryeministrit Berisha mesazhet e ndërkombëtarëve për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt krizës politike, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin mes dy forcave politike. “Dyshoj fort sot në normalitetin logjik të zotit Berisha. Kryeministri i Shqipërisë ka probleme serioze me kuptimin e realitetit të vendit, të njerëzve e të detyrës së tij. U bënë disa ditë me radhë që Shqipëria dëgjon mesazhe të forta nga Brukseli e Uashingtoni dhe në vend të shohë reagimin e duhur të kryeministrit të saj, sheh vetëm reagimin e një njeriu shurdh ndaj botës, qorr përballë realitetit, memec në raport me të vërtetat e faktet e një krize të gjithanshme, të cilën e ka shkaktuar ai e po e paguajnë përditë shqiptarët”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ky njeri nuk po sillet si kryeministër i vendit, po si përfaqësuesi i një bote interesash, përfitimesh e veprimesh, të cilat bien ndesh me të mirën e përbashkët të vendit e të njerëzve të këtij vendi. Sepse në fakt ky njeri nuk i ka fituar votat e popullit për të qenë kryeministri i Shqipërisë, po i ka grabitur ato pikërisht për të ricikluar pushtetin e interesave, përfitimeve e sjelljeve që s’kanë të bëjnë me prioritetet e Shqipërisë e as me interesat e shqiptarëve”. Sipas Ramës, Berisha është gati të sakrifikojë edhe liberalizimin e vizave vetëm që kutitë të mos hapen, aty ku fshihet krimi elektoral. “Për të mbajtur kutitë të mbyllura Sali Berishës i duhet të kapet si mace në xham pas vendimesh gjykatash që nuk ekzistojnë dhe argumentesh ligjore që nuk rrinë një sekondë në këmbë. Kryeministri i pavotuar i Shqipërisë po shkel përditë Kushtetutën e po hedh përditë hapa në drejtim të kundërt me integrimin e vendit duke thelluar krizën e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë”, - u shpreh Rama.
Gjyqësori
Gjatë deklaratës, kryesocialisti ka akuzuar kreun e Ekzekutivit se ka kapur gjyqësorin duke cenuar pavarësinë e tij. “Sali Berisha kujton se dështimet e tij të mëdha në qeverisjen e vendit, zvarritjen e mëtejshme të liberalizmit të vizave apo rrënimin e pandalshëm të ekonomisë për shkakun e politikës së tij, do t’ia faturojë opozitës. Dhe ndërkohë shkon më tutje në aventurën e dënuar publikisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për kapjen e Gjyqësorit, duke synuar të imponojë votim të hapur në Kuvend për gjykatësit e dekretuar nga Presidenti i Republikës”, - tha Rama. Sipas tij, krimi elektoral që mbajnë kutitë e mbyllura po e shtyjnë Berishën të veprojë në mënyrë joligjore.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›