Kushtetuesja lë në fuqi të njëjtën procedurë për titujt e pronësisë
Laureta Rryçi
Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi të njëjtën procedurë për verifikimin e titujve të pronësisë. Në këtë mënyrë ka dështuar tentativa e Avokatit të Popullit për të ndryshuar jo vetëm përbërjen e komisioneve që do të merrnin vendime kaq të rëndësishme për pronën, por edhe procedurën nga do të kalonin ankesat për aktin e pronësisë. Me Ligjin Nr. 9948, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” është parashikuar shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, janë përcaktuar strukturat shtetërore të ngarkuara për këtë qëllim, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr.1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
Sipas ankesave, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur disa persona fizikë dhe juridikë, të cilët kanë ngritur shqetësimin lidhur me zbatimin e Ligjit Nr. 9948 dhe ku pretendohet se fryma e këtij ligji në tërësi dhe nene të veçantë të tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimi
Sipas Avokatit të Popullit, ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, sepse krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmërinë e shtetasve te shteti, nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën; organet administrative kanë të drejtë të verifikojnë, shqyrtojnë dhe anulojnë titujt e pronësisë të fituar me akte ligjore e nënligjore; ligji nuk merr parasysh afatet e parashkrimit të padisë dhe fitimin me parashkrim fitues të pronës me mirëbesim, të parashikuara në Kodin Civil; ligji ka fuqi prapavepruese sepse autorizon komisionet aktuale në rang vendor të shfuqizojnë aktet e lëshuara nga komisionet e mëparshme, të ngritura mbi bazën e dispozitave ligjore në fuqi; me këtë ligj organet e pushtetit ekzekutiv kanë marrë kompetenca të pushtetit gjyqësor; verifikimi i vlefshmërisë së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore bëhet pa një proces të rregullt gjyqësor. Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë kanë shpjeguar se Ligji 9948 bën vetëm verifikimin e titujve të pronësisë të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për tokën bujqësore; ligji i kundërshtuar nuk shkel parimin e sigurisë juridike pasi nuk cenon aspak një të drejtë të mëparshme; në asnjë rast ligji nuk parashikon që komisioni vendor të marrë përsipër çështje për të cilat vendimet e gjykatave janë të formës së prerë; dispozitat e këtij ligji janë në harmoni me dispozitat dhe parimet themelore të Ligjit 7501 dhe ai garanton që titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore të jenë marrë pikërisht mbi bazën ligjore të kohës dhe të jenë lëshuar nga organet kompetente.
Argumentet
Gjykata Kushtetuese vëren se, mes ndryshimeve në legjislacion, që janë kryer në Shqipëri nga fillimi i viteve ‘90, është edhe miratimi i legjislacionit që kishte për qëllim tranzicionin nga ekonomia socialiste në atë të tregut të lirë. Objekt i rregullimit të këtij ligji ishte toka bujqësore që administrohej nga ish-kooperativat bujqësore, e cila iu dha në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë vendas pa shpërblim. Pas vitit 1992 filluan procedurat e ndarjes së tokës bujqësore edhe në territoret e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore (NB), duke u dhënë në përdorim, bazuar në VKM Nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore”. Në vitin 1995, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, duke përcaktuar kriteret dhe mënyrën e kalimit të tokës në pronësi. Ky ligj (neni 2) përjashtonte nga dhënia në pronësi: tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodheshin brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara; tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin; tokat bujqësore të përfshira në veprimtarinë eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore; tokat bujqësore të dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë; tokat bujqësore të pushtuara ose fituara në mënyrë të paligjshme; tokat bujqësore në përdorim të ndërmarrjeve të përbashkëta, deri në zgjidhjen e kontratës së lidhur midis palëve ose mbarimin e afatit të saj. Si struktura përgjegjëse për ndarjen e tokës ligji përcaktonte komisionet e tokës të katër niveleve: komisioni qeveritar, komisioni i qarkut, komisioni i komunës dhe/ose bashkisë dhe komisioni i fshatit. Ndarja faktike e tokës dhe pajisja e familjeve bujqësore me “aktin e marrjes së tokës në pronësi”, pra për krijimin e titujve të pronësisë, i ishte ngarkuar komisionit të fshatit. Sa sipër, Gjykata Kushtetuese thekson se, Ligji Nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, është në pajtim me Kushtetutën vetëm nëse ai interpretohet dhe zbatohet në përputhje me parimet e theksuara prej kësaj Gjykate, pra ai nuk prek titujt e pronësisë të dhënë në përputhje me kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në kohën e krijimit të tyre, komisionet vendore janë vetëm konstatuese të pavlefshmërisë, këto komisione nuk mund të anulojnë apo shfuqizojnë tituj të pronësisë, apo të urdhërojnë çregjistrimin e këtyre titujve nga regjistri i pasurive të paluajtshme. Është vetëm gjykata, e cila mbi padinë e të interesuarve apo autoriteteve publike përkatëse, vendos përfundimisht në lidhje me të drejtën e pronësisë së subjekteve të interesuara.
3 Qershor 2010