KLD, "skaner" gjyqtarëve për vrasjet në 2007-2008
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, do të kryejë një kontroll të imtësishëm ndaj gjyqtarëve për punën që kanë bërë mbi çështjet e vrasjeve, korrupsionit, prostitucionit dhe grupeve kriminale gjatë viteve 2007-2008. "Do kontrollohet çdo çështje vrasjeje dhe çështje me interes publik dhe mediatik në këtë kohë", tha nënkryetari i Lartë i Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Gjatë mbledhjes së djeshme, KLD-ja diskutoi dhe vendosi mbi fillimin e një inspektimi tematik ndaj pesë gjykatave të shkallës së parë, në veprimtarinë gjyqësore të të cilave evidentohen një numër i konsiderueshëm çështjesh gjyqësore, për vepra penale me kriminalitet të lartë. "Nevoja për verifikimin e shkaqeve që kanë çuar në tejzgjatje të disa proceseve gjyqësore penale, një pjesë e të cilave mbartin edhe ndjeshmëri në publik dhe media, ka qenë objekt diskutimi në dy mbledhje të njëpasnjëshme të këshillit, dhe u finalizua me vendimin për këtë inspektim tematik të përbashkët midis dy inspektorateve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë", thuhet në njoftimin e KLD-së. Sipas tyre, objekti i inspektimit do të jenë çështjet gjyqësore penale gjatë viteve 2007-2008, të sjella në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të marrë të pandehur për kryerjen e shtatë llojeve të ndryshme të veprave penale, ndër të cilat: vrasja me paramendim dhe në rrethana cilësuese, trafikimi i narkotikëve, shpërdorimi i detyrës, si dhe veprat që lidhen me korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë. Inspektimi u vendos në një frymë të plotë bashkëpunimi midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, strukturat reciproke inspektuese të të cilëve, për tre muaj, do të përmbushin qëllimin e këtij inspektimi, duke shtrirë secili fushëveprimin e verifikimit të veprimtarisë gjyqësore në vite të ndryshme kalendarike. "Kjo metodikë e kooperimit institucional, është garancia më e mirë për të evituar mbivendosjet e kompetencave ligjore, duke rritur rezultatet e inspektimit gjyqësor", thuhet në njoftimin e KLD-së. Këshilli konkludoi gjithashtu katër procedime disiplinore, ndër të cilat, në qëndrim konfirmues të këshillit ndaj parashtrimeve të bëra nga ministri i Drejtësisë, u vendosën dy masa disiplinore dhe konkretisht: "vërejtje me paralajmërim" ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Rasim Doda, dhe "vërejtje" ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Anila Capo, procedimi disiplinor i të cilës u rishqyrtua nga KLD në zbatim të vendimit nr.16, datë 27.04.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, u shtynë disa procedime disiplinore, ndërsa u rrëzua kërkesa e tij për procedimin disiplinor ndaj dy gjyqtarëve të tjerë, Meme Rexha dhe Enkelejda Kasaruho.
S.Ç.
S.Ç.