E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli në Prokurorinë e Tiranës, raporti në zyrën e Ina Ramës

Raporti me shkeljet e prokurorëve në Tiranë i është dorëzuar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, e cila, brenda kësaj jave, do të marrë masat e para ndëshkimore. Në prokurorinë më të madhe në vend priten lëvizje dhe masa të rrepta disiplinore, deri në transferim detyre. Sipas burimeve nga akuza qendrore, Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pas kontrollit dyjavor në këtë akuzë, ka gjetur shkelje dhe abuzime me detyrën. "Katër inspektorët kanë gjetur shkelje në këtë organ dhe një raport përfundimtar do t‘i serviret Kryeprokurores Ina Rama", thanë burimet nga Drejtoria e Inspektimit. Sipas tyre, shkeljet e konstatuara nga Ministria e Drejtësisë në këtë prokurori janë pjesërisht të sakta. Afatet e hetimit dhe klasifikimi i veprave penale nga prokurorët janë dy nga problemet e konstatuara në këtë prokurori, e cila konsiderohet më e madhja në vend për nga numri i dosjeve që ka nën hetim dhe gjykim.
Sipas të dhënave nga akuza qendrore, puna e Kryeprokurores do të jetë ballafaqimi i dy raporteve për prokurorët në Tiranë. Disa javë më parë, Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar Ramës një raport voluminoz kontrolli të zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës. Akt-kontrolli i dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme pretendon se 34 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës janë gjetur me shkelje të ndryshme në punën e tyre. Kështu, 12 nga prokurorët kanë kryer shkelje që duhet të ndëshkohen me shkarkim nga detyra, 10 prokurorë duhet të ndëshkohen me masën e transferimit, ndërsa 12 të tjerë me masën e paralajmërimit. Ndërkohë, zyra e inspektimit në akuzën qendrore deklaron se shkeljet kanë qenë pjesërisht të sakta, ndërsa objekti i rikontrollit kanë qenë dosjet penale të regjistruara nga gjysma e dytë e vitit 2007, deri në fund të vitit 2008. Akuza qendrore thotë se në disa raste inspektorët e ministrisë kanë gabuar në vlerësimin e veprave penale, pasi vendimmarrja e prokurorëve është vetjake. Si rrjedhojë, shumë shkelje janë të pasakta.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›