E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, votim i fshehtë në Kuvend, ‘ankthi” i PD e PS-së!

Kjo do të tregojë realisht se sa vota ka mazhoranca dhe opozita në Kuvend. Në garë ndodhet kandidati demokrat, Elvis Cefa dhe ai i propozuar nga Partia Socialiste, Ardian Visha, të cilët do të votohen me kuti dhe jo me elektronikë siç është bërë deri më tani dhe ku vota e gjithsecilit deputet ishte e dukshme edhe për mediat. Kjo parashikohet në Nenin 60 të Rregullores së Kuvendit, ku votimi bëhet me kuti për persona.

Në fletën e votimit duhet të shënohen emri i kandidatit në garë si dhe alternativat “po”, “jo” dhe “abstenim”, por në rast se në garë janë dy kandidatë, forma e votimit ndryshon, ku përbri emrit të tyre vendoset një katror, ku deputetët mund të shënojnë kandidati e preferuar.

“Panorama” shkruan sot se gjatë fundjavës, deputetët e komisionit të Ligjeve u kanë dërguar kërkesa institucioneve ku ka punuar më parë Ardian Visha, për të marrë të dhëna rreth karrierës së tij. Megjithëse nuk pritet të ketë rrjedhje votash nga ana e demokratëve dhe socialistëve (përkatësisht 66 dhe 62 deputetët), të cilët do të votojnë për kandidatët e tyre, me interes priten qëndrimet e deputetëve të partive të vogla si të LSI-së, PDIU-së dhe ndonjë deputeti të pavarur, siç është rasti i Kastriot Islamit apo Dritan Priftit.

Ndërkohë, deputeti i vetëm republikan, Fatmir Mediu, do të jetë në interes se për kë do ta japë votën e tij, për kandidatin demokrat, apo për kandidatin Visha, të cilin e ka pasur avokat në Gjykatën e Lartë, ku ai akuzohej si i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit. /Start/

                                                                                             2012-04-09 08:34
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›