E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD zgjedh kryetarët e 4 gjykatave

Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjedh kryetarët e rinj të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda. 

Fatos Mahmutaj

Ndërsa kishte dhënë dorëheqjen pak kohë më parë Vangjush Kallço, kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda u zëvendësua dje nga ish-vartësi i tij Gjovalin Përnocaj, kurse Sandër Simoni, ish-kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk arriti të siguronte vota në KLD më tepër se konkurrenti i tij Dritan Hallunaj. Mes debatit të ashpër midis anëtarëve të KLD-së dhe kandidatëve, si dhe pyetjeve të ministrit të Drejtësisë, KLD-ja zgjodhi dje pesë krerë të rinj gjykatash. Pas prezantimit të platformave të dy kandidatëve për krerë të Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca dhe Dhimitër Lara, anëtari i KLD-së, Hysni Demiraj u bëri një pyetje të përbashkët rreth problemit të korrupsionit për të cilin përflitet drejtësia. “Meqë jemi te problemi i korrupsionit, kush nga ju ka prona në Golem dhe Dardhë të Korçës”, pyeti Demiraj. Përnoca tha se nuk përgjigjej, pasi kjo pyetje nuk ishte pjesë e kësaj tryeze, ndërsa konkurrenti tjetër Lara, bëri kundërpyetje duke thënë: “Pse kërkoni ta gjeni të keqen e sistemit të drejtësisë te gjykata jonë”. Ky ishte edhe kulmi i debatit në mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku vazhduan edhe pyetjet e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për transparencën, korrupsionin dhe mënyrën e kryesimit të institucioneve të togave të zeza. Pas votimit të Përnocajt dhe Hallunajt në kryesimin respektiv të Apelit dhe Faktit të Krimeve të Rënda, KLD-ja i dha me shumicë votash gjyqtarit Artur Malaj rolin e kreut të Gjykatës së Vlorës. Ky sfidoi në votim tre kolegët e vet Klodiana Gjyzari, Skerdilajd Konomi dhe Shkëlzen Selimi. Kryetari i Gjykatës së Sarandës për një mandat katër-vjeçar do të jetë gjyqtari Alltun Çela, i cili fitoi përballë konkurrentes Ketra Bajrami. Ndërsa Gjykata e Dibrës për katër vitet e ardhshme do të drejtohet nga gjyqtari Kastriot Selita. Ky nuk pati rivalë në garën për kryetar, edhe pse vendi vakant për këtë post është shpallur nga KLD-ja më datë 8 shkurt të këtij viti. Ndodhur përpara këtij fakti, Këshilli mori në shqyrtim kandidaturën dhe vendosi me shumicë absolute pro gjyqtarit Selita. Padyshim që gara më e fortë ishte ajo për kreun e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Njëra prej konkurrenteve, Marsela Balili, hoqi dorë vullnetarisht nga gara një ditë para votimit, ndërsa tre kandidatët e tjerë, Sandër Simoni, Etleva Deda dhe Dritan Hallunaj paraqitën platformat e tyre para KLD-së. Të pyetur nga anëtarët e Këshillit, pse mendonin se mund të drejtonin më mirë Krimet e Rënda në krahasim me kreun e deridjeshëm Simoni, Hallunaj e Deda thanë se nuk kishin asnjë kritikë për Simonin, por ata donin të zbatonin projektet e tyre dhe se kishin të tjera strategji për drejtimin më me efikasitet të këtij institucioni. Ndërsa Simoni në fjalën e vet të prezantimit pohoi faktin se kishte drejtuar me sukses këtë gjykatë dhe se kishte nisur shumë projekte të rëndësishme, kryesisht me organizma ndërkombëtare, të cilat kishte dëshirë t’i përfundonte.

Berisha: Ish-kryegjyqtari Bujar Musta liroi vrasësin

Kryeministri Berisha tha dje gjatë turit në qytetin e Peqinit se ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta, liroi një vrasës, duke dëshmuar se ka ende pushtetarë të korruptuar. “Janë arrestuar me dhjetëra zyrtarë dhe do të arrestohen të gjithë ata që korruptohen. Nuk arrestohen gjykatës, ndonëse ka prej tyre që janë 10 herë më të zinj se krimineli. A e dini se çfarë bëri kryetari i Gjykatës së Elbasanit? Ai liroi vrasësin. Kjo ngjarje është shumë tronditëse. Motra e viktimës, një vajzë shqiptare, intelektuale, e martuar në Itali, më bëri një letër, një nga letrat më prekëse që kam lexuar”, theksoi kreu i qeverisë. Berisha ishte dje në Peqin, ku së bashku me deputetin e zonës, Dashnor Sula, përuroi rikonstruksionin e rrugëve në komunat Përparim dhe Pajovë si dhe përfundimin e ujësjellësit të fshatit Bardhas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›