E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi në Shëngjin e Velipojë: Policia të marrë masa për sigurinë e turistëve

TIRANE - Policia duhet të parandalojë rastet e trafikut të klandestinëve gjatë sezonit turistik. 

 Kjo ka qenë kërkesa që kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi u ka bërë vartësve të tij dje në Lezhë dhe Shkodër gjatë inspektimit të masave të marra nga organet e rendit në prag të sezonit turistik. Zv/ministri i Brendshëm Gent Strazimiri dhe kreu i Policisë Ahmet Prençi, zhvilluan takime në Shëngjin dhe në Velipojë me strukturat e policisë, për të inspektuar masat e marra në prag të sezonit turistik. Dy zyrtarët e dikasterit blu, kanë parë nga afër masat e policisë dhe kanë verifikuar veprimet konkrete të policisë lokale në Shëngjin dhe Velipojë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë gjatë sezonit veror pritet që turistë të shumtë t’i vizitojnë këto zona. Zv/ministri Strazimiri kërkoi nga policia lokale rritjen e kontrolleve të akseve rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve. “Duhet t’i jepet një prioritet i madh parandalimit të aksidenteve rrugore në këto zona, duke shtuar edhe patrullat e policisë në rrugët kryesore. Një vëmendje të veçantë duhet të kemi në parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme”, u shpreh Strazimiri. “Në territorin e plazheve dhe në rrugët e hyrjes së tyre të vendosen tabelat me numrat e telefonit të shërbimeve të policisë, të shërbimeve të emergjencës, si dhe tabela për zonat e rrezikshme për jetën, me qëllim ardhjen në ndihmë të pushuesve”, ka pohuar kryepolici Prençi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›