E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Referendumi domosdoshmëri për demokracinë

Referendumi është një domosdoshmëri për të mbrojtur demokracinë në vend. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbështet kërkesën që ndryshimet kushtetuese t’i 

nënshtrohen referendumit në një lëvizje që tashme ai e cilëson si mbarëpopullore. Sipas Metës, kërkesa për referendum tejkalon dëshirën e vetëm disa forcave politike, por është kthyer në një domosdoshmëri që përkrahet me forcë nga intelektualë të të gjitha fushave. “Referendumi është një domosdoshmëri për të mbrojtur demokracinë dhe çdo kundërveprim ndaj referendumit, si një instrument përmes të cilit sovrani shpreh vullnetin e vet, është i papranueshëm”, u shpreh Meta. Pas firmave të dy ish-presidentëve Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, Meta lë të kuptohet qartë se lëvizja do të mirëpriste edhe nënshkrimin e kreut aktual të shtetit, Bamir Topi. “Nuk është koha për të bërë diversion. Secili është i lirë të shprehet në një mënyrë. Unë jam i bindur se cilido që del kundër referendumit për të treguar vullnetin e sovranit, del kundër demokracisë”, ka shtuar kreu i LSI-së. Duke e quajtur të pamundur opsionin që KQZ-ja të mohojë të drejtën e mbajtjes së referendumit, kryetari i LSI-së thekson se, “ka ardhur momenti që shqiptarët të marrin vendin që u takon realisht në vendimmarrje të tilla”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›