E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushëriri i Aldo Bares dënohet me 10 vjet burg

Nallbani, i cili kërcënonte me emrin e kreut të bandës së Lushnjes dënohet për shfrytëzim prostitucioni
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda shpall fajtor të pandehurin Sajmir Nallbani për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të fëmijëve" dhe e dënon atë me 10 vjet burg dhe 4 milionë lekë të reja gjobë. Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Nallbani për tre vjet rresht e ka trafikuar dhe më pas e ka shfrytëzuar rrugëve të Greqisë dhe Belgjikës një 16- vjeçare nga Fieri, duke e detyruar të shesë trupin për qëllime prostitucioni. "Gjatë fazës së hetimit gjyqësor u vërtetua se i pandehuri Sajmir Nallbani ka kryer veprën penale të "trafikut të të miturve" për qëllime prostitucioni, duke kërcënuar vajzën se ishte kushëriri dhe anëtari i "bandës" së Aldo Bares. Për kryerjen e kësaj vepre penale, në aplikim të gjykimit të shkurtuar vendosim përfundimisht dënimin e tij me 10 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë"-thuhet në vendimin e pesëshes gjykuese të kryesuar nga Bardhyl Dhamo. Ndërkohë, vetëm pak minuta para shpalljes së vendimit, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Nallbani kërkoi nga gjykata pafajësi për klientin e tij, duke e deklaruar se kallëzimi i vajzës është i sajuar. I pandehuri Nallbani në fjalën e tij kërkoi nga togat e zeza drejtësi dhe pafajësi, duke u vetëdeklaruar i pafajshëm për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa përfaqësuesi i akuzës, prokurori Gentian Trenova në seancën e kaluar lexoi para gjykatës konkluzionet përfundimtare, ku kërkoi nga togat e zeza deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij përfundimtar me 10 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Sajmir Nallbani nga qyteti i Fierit e ka detyruar 16- vjeçaren me iniciale Xh.L. të shesë trupin për 3 vjet rrugëve të Athinës dhe Belgjikës, nën kërcënimin me emrin e Aldo Bares. Ky fakt, sipas vendimit, u mësua nga dëshmia e vajzës 16 –vjeçare, dhënë para Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë sigurimit të provës. Ajo dëshmoi të gjitha vuajtjet dhe torturat e të pandehurit Nallbani, që nga koha e mashtrimit për martesë dhe deri në kohën që prostituonte rrugëve të Athinës dhe Brukselit. "Puno se jam kushëriri i Aldo Bares. Ai në Shqipëri do të të djegë familjen, kështu që ule kokën dhe puno për mua",-mësohet të ketë kërcënuar shumë herë vajzën 16- vjeçare, e cila me të ardhur në Shqipëri kallëzoi "tutorin" e saj, Nallbani. Kallëzimi i 16- vjeçares ka detyruar oficerët e policisë gjyqësore të qytetit të Fierit që mëngjesin e 17 majit të vitit 2006 të prangosin në banesën e tij në lagjen "15 Tetori" të Fierit, Sajmir Nallbanin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›