E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Ja pse ngeci ndërtimi i rrugës Lushnjë-Fier

Ndërtimi i rrugës Lushnjë-Fier nuk ka përfunduar ende, duke shkelur kështu afatin e përcaktuar në kontratë. 

Fabiola Çela

Sipas kësaj kontrate, ndërtimi i këtij segmenti rrugor duhet të kishte përfunduar në mars të këtij viti, por ky afat nuk është respektuar. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë përfunduar kontrollin e tyre mbi projektin e kësaj rruge, ku kanë nxjerrë në pah shkeljet që kanë vonuar përfundimin në kohë të kësaj rruge. Sipas KLSH-së, shkak kryesor për mospërfundimin në kohë të projektit ka qenë vetë firma ndërtuese, e cila ka punuar me ritme shumë të ngadalta. Lidhur me këtë problem është vënë në dijeni edhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e cila nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur këtë problem. Problemet me shpronësimet dhe pronarët e truallit kanë ndikuar ndjeshëm në ngadalësimin e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge. Projekti i rrugës Lushnjë-Fier synon të përmirësojë gjendjen e këtij aksi rrugor, duke e përshtatur me nevojat e fluksit të trafikut të tanishëm e të ardhshëm dhe me nivele të larta sigurie.
Shkeljet
Projekti i kësaj rruge zbatohet nga njësia e koordinimit të projektit (PIU), nën autoritetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Punimet në këtë objekt kanë filluar më datë 27 mars të vitit 2006 dhe sipas kontratës duhet të përfundonte në mars të këtij viti. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar të gjitha shkeljet që kanë ndikuar në mospërfundimin në kohë të kësaj rruge. "Gjatë kontrollit rezultoi se kontraktori po punon për ndërtimin e urave pa u realizuar negocimi i çmimeve, si dhe firmosur shtesa nga autoritetet përgjegjëse, në kundërshtim me kontratën e firmosur nga palët", thuhet në raportin e KLSH-së. Por ky projekt nuk kishte oponencë teknike, ç'ka ka ndikuar negativisht në përfundimin brenda afatit të përcaktuar më parë. "Duke mos pasur oponencë teknike, projekti i zbatimit ka ndryshuar në një pjesë të madhe të tij. Për të realizuar këto ndryshime të kërkuara të projektit, kontraktori së bashku me mbikëqyrësin e punimeve kanë marrë aprovimin e DPRR për variantet e tyre teknike (ndryshimet e projektit), pasi në vlerësimet e tyre, projekti fillestar kishte mangësi si dhe nuk jepte siguri në disa segmente të tij", thuhet në raport. Por probleme janë hasur edhe me vetë firmën kontraktore. "Nga ana e PIU-t evidentohen shqetësime serioze në ecurinë e punimeve të këtij projekti të rëndësishëm. Vonesat vijnë për shkak të furnizimit të pakët me material mbushës, duke lënë pa prodhim edhe impiantin e prodhimit të miksçimentos", theksohet në raport. Gjithashtu ka pasur probleme të bazës asfaltike, të cilat janë konstatuar nga mbikëqyrësi i punimeve dhe kontraktori është urdhëruar për rregullimin e pjesëve të dëmtuara. "Me gjithë vonesat në grafikun e punimeve, kontraktori në vend të mobilizohej, ka ulur ritmet e punës, duke bërë pushimet e muajit gusht", theksohet në raportin e KLSH-së. Lidhur me këtë problem, në shkresën e datës 25.07.2007 të PIU-t, drejtuar drejtorit të përgjithshëm të DPRR dhe drejtorit të PIT thuhet: "Për fat të keq, problemet që diskutohen në mbledhjet periodike nuk zgjidhen nga firma dhe ka një zvarritje të theksuar, që bien në kundërshtim edhe nga ana kontraktuale".
Duke qenë se nga ana e PIU-t konstatohen probleme gjatë ecurisë së projektit, si dhe vonesa të mëdha në zbatimin e punimeve sipas grafikut të miratuar, në bazë të kontratës PIU dhe MPPTT në rolin e porositësit, duhej të merrnin masa për kontraktorin. Një problem për zbatimin e kësaj rruge me shpejtësi dhe në kohë është dhe problemi i shpronësimeve. Sipas KLSH-së, mosbashkërendimi i strukturave që duhet të merren me zgjidhjen e këtyre problemeve, do të sjellë vonesa në përfundimin e rrugës, e për pasojë do të ketë rritje të kostos së projektit.

Realizimi i projektit

Edhe pse në të gjithë ndryshimet e projektit të miratuara nga palët, efekti kohë për realizimin e projektit ka qenë në favor të kontraktorit, ritmet e punës në kantier janë të ngadalta. Sipas KLSH-së, realizimi fizik i projektit në momentin e kontrollit është në masën 34%, ndërkohë që realizimi kohor është 70.8%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›