E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken 65 milionë USD

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjatë kontrolleve të ushtruara në vitin 2007 ka zbuluar një dëm efektiv të përgjithshëm prej rreth 65 milionë dollarësh. Dëmi financiar është shkaktuar nga institucionet qendrore dhe lokale në kurriz të shtetit, si pasojë e abuzimeve me shpenzimet në paga e shpërblime, si dhe në prokurime publike. Raporti vjetor ka mbërritur dje në Kuvend dhe i referohet periudhës 2005-2007 (për vitin 2007 si 9-mujor), ku janë konstatuar miliona dollarë abuzime nga zyrtarë të shtetit. Dëmi më i madh është shkaktuar në dogana dhe tatime, rreth 30 milionë dollarë, në ministri me rreth 6 milionë dollarë, si dhe në bashki e institucione të tjera, si KESH, Porti i Durrësit apo INSIG, në vlera të konsiderueshme. Për sa u përket rekomandimeve të KLSH-së, janë marrë parasysh rreth 76% e tyre, nga 72% që ishin në vitin 2006, ndërsa kontrolle të ushtruara gjatë vitit që shkoi janë mbi 140. Ndryshe nga viti 2006, ku dëmet e evidentuara shkonin në rreth 75 milionë dollarë, për 2007 vlera e tyre ra me 10 milionë dollarë, por që gjithsesi mbetet e lartë. Edhe pse rekomandimet e KLSH-së janë marrë parasysh në një pjesë të konsiderueshme, problem mbeten moszbatimi i sugjerimeve për investimet e huaja edhe në sistemin tatimor.

Dëmet

Të ndara në zëra, dëmi ekonomik më i madh është shkaktuar në prokurime publike, në vlerën e rreth 9,2 milionë dollarëve, të evidentuara në të gjitha institucionet kryesore të vendit. Në fushën e sistemit të pagave, dëmi i shkaktuar ndaj shtetit arrin 600 mijë dollarë, kurse ai i shpërblimeve në vlerën e përgjithshme prej rreth 1,2 milionë dollarëve. Abuzime janë zbuluar edhe në sektorin e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në vlerën totale prej 7 milionë dollarë, kurse në sistemin doganor dëmet arritën në 4 milionë dollarë. Lidhur me fushat dhe sektorët e tjerë, dëmi i zbuluar llogaritet në rreth 3 milionë dollarë.

Investimet e huaja

Sikundër ka ndodhur në vitet e kaluara, edhe gjatë 2007 KLSH ka zbuluar vjedhje masive në zbatimit e projekteve të huaja, të cilat kanë ndikuar te realizimi i investimeve në total. Në total janë zbuluar rreth 6 milionë dollarë abuzime, si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të ndërmarra nga menaxherët dhe drejtuesit më të lartë të projekteve të huaja, duke abuzuar me buxhetin e shtetit. Sipas KLSH-së, dëmi më i madh konstatohet te investimet e huaja në sektorin e shëndetësisë, konkretisht për: "Rimëkëmbje e sistemit shëndetësor", "Ndërtimi dhe pajisja e spitalit francez, klinika e specialiteteve" dhe "Ndërtimi i Spitalit Shkodër dhe Spitalit Durrës", të treja këto me një dëm prej rreth 1,7 milionë dollarësh. Nisur nga këto fakte, KLSH ka rekomanduar marrjen e disa masave, ku njëra është hartimi i ligjit të ri për financimet e huaja, si dhe studimin për aplikimin e procedurës "Black List" (lista e zezë), me objektiv nxjerrjen e përgjegjësisë administrative ndaj konsulentëve në rastet e shfaqjes së problemeve.

Arsyet dhe degët më problematike

Doganat dhe tatimet, buxhetit i mungojnë 37 milionë USD

Përveç dëmeve të shkaktuara nga abuzimi me postin, KLSH ka kryer 18 kontrolle në tatime dhe dogana, me qëllim kontrollin e të ardhurave të buxhetit të shtetit. Në total, efektet negative në grumbullimin e të ardhurave tatimore për llogari të buxhetit të shtetit janë llogaritur në rreth 37 milionë dollarë, ku 34 milionë nga sisteme tatimore dhe 3 milionë dollarë nga doganat, si rrjedhojë e evazionit fiskal. Për sa i përket sistemit tatimor, dëmi është shkaktuar kryesisht nga Dega e Durrësit me 3 milionë dollarë, dega e Krujës me 7 milionë dollarë, degët e Skraparit, Kuçovës, Delvinës dhe Gjirokastrës, në vlerë totale prej 6 milionë dollarë, si dhe dega e VIP-ave me rreth 6,7 milionë dollarë. Të gjitha këto dëme janë krijuar si rezultat i tatim-fitimit dhe gjobave të pallogaritura, taksës TVSH, detyrime tatimore dhe gjoba të falura padrejtësisht. Lidhur me sistemimin doganor, KLSH ka evidentuar abuzime në degët e Durrësit dhe Elbasanit, përkatësisht 2 milionë dollarë dhe 400 mijë dollarë, si rrjedhojë e detyrimeve doganore të papaguara, verifikim të faturave të origjinës dhe përdorim të çmimeve të referencës.

Kontrollet e KLSH

"Tenderët e BSH, dyshime te procedurat"

Disa nga rekomandimet e KLSH-së, të hedhura në raportin e fundit për vitin 2007, i janë drejtuar edhe institucionit më të rëndësishëm financiar. Rasti konkret lidhet me Bankën e Shqipërisë, që sipas KLSH-së, "përzgjedhja e procedurës së prokurimit ‘prokurim i drejtpërdrejtë‘, sipas nenit 10 për prokurimin e mallrave, ndërtimeve dhe shërbimeve, bie ndesh me nenin 2 ‘qëllimi dhe parimet‘ të kësaj rregulloreje, për përdorim efektiv të fondeve të Bankës Qendrore, pasi ky nen nuk lejon konkurrencën dhe shkel barazinë në prokurim". Po ashtu, një tjetër rekomandim lidhet edhe me kufirin monetar të lejimit të procedurës "tender i hapur", "tender i kufizuar" dhe "kërkesë për kuotim", për prokurimin e ndërtimeve, shërbimeve dhe mallrave, të cilat shkelin disa nene të ligjit ‘Për prokurimin publik‘". Këto rekomandime të KLSH nuk janë marrë në konsideratë nga BSH, thuhet në raportin vjetor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›