E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në regjistrimin e popullsisë përfshihen edhe minoritarët

Gjirokastër Ditën e shtunë ka nisur normalisht procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave edhe në Qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë që e veçanta është se pjesë e tij janë bërë edhe banorë të zonave të minoritetit. Sipas drejtueses së stafit të censusit për qarkun, Vjollca Kale, janë 280 persona që do të angazhohen në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave në Qarkun e Gjirokastrës. Mes tyre 42 persona në rang qarku janë trajnuar për të punuar si kontrollorë gjatë censusit të popullsisë, ndërkohë që 240 të tjerë do të punojnë në terren për regjistrimin e popullsisë dhe banesave në të tre rrethet e Qarkut të Gjirokastrës. E veçanta e ditës së parë të regjistrimit ka qenë edhe përfshirja e banorëve të zonës së minoritetit grek. Në të dyja komunat e minoritetit grek, Dropulli i Sipërm dhe Dropulli i Poshtëm, janë shënuar edhe të regjistruarit e parë minoritarë, ndërkohë që kanë funksionuar normalisht edhe grupet e punës së censusit për këto zona. B.SH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›