Të dhënat e emigrantëve, shkëmbime me palën greke
Në zonën e Korçës ku ka mjaft persona që ndodhen në Greqi dhe nuk ndodhen në banesë në momentin e regjistrimit
Korçë Ka startuar edhe në rajonin juglindor të vendit regjistrimi i popullsisë. Por ajo që evidentohet ndryshe nga pjesët e tjera të vendit, është fakti se emigrantët korçarë me banim në Greqi nuk do të përfshihen në regjistrimin e popullsisë. Të dhënat e tyre do të shkëmbehen me qeverinë greke, pas të dhënave që qeveria shqiptare do të dërgojë për shtetasit me kombësi greke me banim në Shqipëri ose e thënë ndryshe minoritetin grek. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Mapo” nga përfaqësuesi i zyrës statistikore në Korçë, Sami Meçollari, ndërkohë që, sipas tij, ka filluar pa probleme procesi i regjistrimit të popullsisë nga mëngjesi i të shtunës. Janë plot 599 anketues në shkallë qarku, të shpërndarë në terren, ndërkohë që 400 prej tyre do të përqendrohen në zonat rurale të qarkut të Korçës. Nga ky numër janë 188 anketues që kanë filluar punën vetëm në qytetin e Korçës. Por e veçanta e këtij qyteti është një çështje tejet delikate që ka ngjallur debate të shumta gjatë periudhës së diskutimeve për këtë argument. Një numër i madh qytetarësh korçarë prej shumë vitesh janë pajisur nga shteti grek me dokumentin homogjenist 10-vjeçar, ndërsa nga ana tjetër të moshuarit e këtyre familjeve trajtohen me një pension ushqimor, që kalon vlerën e 300 eurove në muaj. Por pavarësisht kësaj, sipas drejtorit të Statistikave në Korçë, Sami Meçollari, qenia homogjenist grek nuk ndryshon etnicitetin shqiptar të këtyre shtetasve të lartpërmendur. Shtetasit shqiptarë që disponojnë dokumente greke nuk njihen si grekë, pasi origjina e tyre në pjesën më të madhe të këtyre dokumenteve është shqiptare. Për Meçollarin, qytetarët në rajonin juglindor të vendit ashtu si dhe në Korçë do japin të dhënat e tyre për efekt statistikor, ndërsa nuk do të vetëshpallen grekë, pasi në rast të kundërt mund të ndëshkohen ligjërisht. Ai tregon se, duke iu referuar ligjit, mund të aplikohen masa administrative që shoqërohen me gjobë për atë që gënjen lidhur me këtë pikë dhe kjo është e vërtetueshme ligjërisht. Gjithsesi, çështja mbetet e hapur, ndërsa emigrantët shqiptarë nga ana tjetër nuk do të jenë pjesë e këtij regjistrimi. Ata janë regjistruar në shtetin fqinj dhe në fund të këtij procesi qeveria greke do të dërgojë të dhënat e tyre në Shqipëri, ashtu sikundër do veprojë qeveria jonë për minoritetin grek. Në Korçë nuk ka minoritet grek, me gjithë pretendimet e qarqeve të caktuara shoviniste antishqiptare për ekzistencën e një numri minoritarësh grekë në këtë qytet. Irena Vreto